Istrefi: Konsumatorët e Z-mobile do të vazhdojnë të marrin shërbimet aty ku i kanë marrë deri më sot

Kompania Z-mobile edhe pas shkëputjes e kontratës me Telekomin, do të vazhdoj të përfitojë nga Telekomi, kjo sepse konsumatorët do të vazhdojnë t`i marrin shërbimet ashtu siç i kanë marrë deri më sot.

Kështu ka thënë për KALLXO.com, kryeshefi ekzekutiv i Telekomit, Bedri Istrefi, i cili theksoi të martën se pritet që të diskutohet për zgjidhjen në mënyrës që konsumatorët të mos mbesin pa shërbime.

“Do të diskutojmë bashkërisht dhe do ta marrim një vendim, në asnjë moment në asnjë formë që konsumatori të mos jetë i dëmtuar dhe pa shërbime. Kjo do të jetë në vazhdimësi deri në marrjen e vendimeve, konsumatorët e shërbimeve që i kanë të Z-mobile do t’i marrin shërbimet ku i kanë marrë deri më sot në pikat shitëse me produktet e Z-mobile deri në marrje të vendimit, ta shikojmë sesi do të rrjedhë procesi i fazës së tranzisionit”, tha Istrefi.

Tutje Istrefi tha që për marrjen e një vendimi do të diskutohen edhe me Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në mënyrë që të mos dëmtohen konsumatorët.

“Këtu kemi të bëjmë edhe me Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale pasi që siç e dimë çdo numër e ka të obliguar ta ketë emrin, mbiemrin dhe numrin personal, kështu që do të veprojmë jashtëzakonisht kujdesshëm që të mos bëjmë shkelje të privatësisë së konsumatorit”, tha ai.

Më 30 korrik ka përfunduar kontrata 10 vjeçare mes Telekomit të Kosovës dhe Dardafon (Z-Mobile).

Kontrata e cila ka ngritur shumë pluhur për dëmet që ia ka shkaktuar Telekomit të Kosovës ka përfunduar pas gjashtë muaj negociata të pasuksesshme për ndonjë marrëveshje të re.