Istog - Stafit civil e punonjësve të arsimit e shëndetësisë 'u zhduken dokumentet' nga dosjet e tyre të punës
Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se ka mangësi në menaxhimin e personelit në Komunën e Istogut.
Kjo për shkak se Komuna nuk ka arritur të kompletoj dosjet e personelit në përputhje me rregulloren mbi dosjet dhe regjistrin e shërbyesve civil, gjithashtu edhe dosjet e punonjësve të arsimit dhe shëndetësisë.
“Dosjeve të shërbyesve civil, punonjësve të arsimit dhe shëndetësisë ju mungonin dokumentet si: çertifikata e lindjes, çertifikata e shtetësisë, çertifikata nën hetime, vendimi i pushimit vjetore dhe dëshmi tjera që kërkohen të jenë pjesë e dosjeve të personelit”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Gjithashtu sipas ZKA-së, Drejtoria e Arsimit kishte punësuar dy persona në arsim, por që konkursin nuk e kishte publikuar në njërën nga mediat e shkruara ashtu siç kërkohet me Udhëzimit Administrativ por e kishte publikuar në web-faqen e komunës.
Në raportin e ZKA-së, për Komunën e Istogut është përmendur edhe mungesa e projekteve ekzistuese.
Udhëzuesi Operativ për Prokurimin Publik (UOPP) kërkon që specifikat teknike për kontratën e punës, duhet të përfshijnë një projekt ekzekutues si pjesë substanciale të veten.
ZKA ka identifikuar se në 15 kontrata pune të nënshkruara komuna nuk kishte pasur të hartuar projektin ekzekutiv, por i kishte zhvilluar proceduarat e prokurimit duke përgatitur vetëm paramasën dhe parallogarinë.
“Mungesa e projekteve ekzekutuese kryesisht ishte tek ndërtimi i rrugëve, trotuareve, kanalizimeve dhe kanaleve të ujitjes”, përshkruhet në raportin e ZKA-së kjo problematikë.
Sipas zyrtarëve kjo ishte për shkak të vonesave për kontraktimin e shërbimeve për hartimin e projekteve ekzekutuese të cilat ishin zgjatur nga ankesat e shumta të operatorëve në procedurën e prokurimit.
“Ankesat në procedurën e prokurimit kanë rezultuar me mungesë të kontratës për hartimin e projekteve ekzekutive”, thuhet tutje në raportin e ZKA-së.
Sipas ZKA-së: “Mungesa e projekteve ekzekutuese dhe inicimi i procedurave për projekte kapitale vetëm me paramasë dhe parallogari rritë rrezikun që gjatë procesit të ekzekutimit të projekteve të paraqiten pengesa të ndryshme si në aspektin e profesional ashtu edhe në vonesat e punimeve apo edhe në rritjen e kostove të projekteve”.