Stacioni i Autobusëve || Ilustrim: Trembelat

Istog, punëtorët e Stacionit të Autobusëve punojnë pa paga

Janë bërë 1 vit e gjysmë që kur Agim Ukaj, punëtor në Stacionin e Autobusëve të Istogut, nuk ka marrë pagë të rregullt për punën që e bën.

Ukaj për KALLXO.com tha se brenda kësaj periudhe 18 muajshe vetëm një herë ka marrë paratë mujore që i takojnë.

“Nga komuna çka mbajë mend vetëm një herë na kanë qit rrogë, edhe tjera veç në dy tre muaj kur po munden me bë, Ne më herët nuk kemi pas problem me paga, s’po mundemi me mbijetu hiç kështu”, rrëfen ai.

“Kjo situatë duhet me u bë boll, ne të gjithë kemi familje, janë në studime dhe është e vështirë, në punë edhe mos me marrë pare unë nuk di”, shton ai.

Ukaj tha se pavarësisht se kryetari i Komunës, Haki Rugova u ka premtuar atyre zgjidhje për këtë çështje, nuk kanë shpresa se një gjë e tillë do të ndodhë.

Që një një situatë të tillë gjendet ndërmarrja publike e komunës së Istogut e konfirmoi për KALLXO.com edhe i pari i kësaj komune, Haki Rugova.

“Ka shumë arsye që nuk kanë marrë paga punëtorët. Ne kemi shprehur gatishmërinë me i subvencionu ata, me i përkrahë por kjo është ndërmarrje e re për ne, shumë vështirë po shkon puna aty, mirëpo ende nuk kemi siguruar fonde”, tha Rugova duke u zotuar se brenda këtij muaji do t’iu sigurohen të paktën gjysma e borxhit.

“Për momentin nuk kemi mjete buxhetore por mendoj që mund të sigurohen deri në pjesën e parë të këtij muaji, deri në rishikimin e buxhetit, në mënyrë që t’iu kthehet së paku gjysma e atyre pagave dhe pjesën tjetër deri në fund të vitit”, tha Rugova.

Ndërsa, drejtori i Drejtorisë për Shërbimeve Publike në këtë komunë, Enver Rugova tha se janë 11 punëtorë që aktualisht punojnë në këtë ndërmarrje publike.

“Në stacion të Autobusëve punojnë 11 persona, kanë qenë 12 por tash një person ka kërkuar pushim pa pagesë. Ne kemi pas takim me kryetarin dhe punëtorët dhe jemi zotuar që do ta zgjidhim këtë problem si në atë legjislativ por edhe financiar”, tha ai për KALLXO.com.

Ndërmarrja e Stacionit të Autobusave në Istog dikur ka qenë në udhëheqjen e “Kosovatrans” ndërsa së fundi është bërë pronë publike komunale.