Profesori i Kolegjit ISPE, Avni Mazrreku - Foto: KALLXO.com

ISPE paralajmëron kallëzim penal ndaj ministrit Bytyqi

Kolegji ISPE ka publikuar letrën që do t’ia dërgojë Regjistrit Europian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) dhe Asociacionit Europian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) në lidhje me mosakreditimin e disa programeve të këtij kolegji, për të cilat ky kolegj fajëson Agjencinë e Kosovës për Akreditim (AKA).

Në një konferencë për media, profesori i këtij kolegji, Avni Mazrreku, paralajmëroi kallëzim penal që do t’i bëhet nga ISPE ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi.

Mazrreku e akuzoi kolegjin AAB për “kapje” të Ministrisë së Arsimit dhe Agjencisë së Akreditimit.

Ai theksoi se Ministria e Arsimit që nga viti 2014 e ka lënë Agjencinë e Akreditimit pa një drejtor por vetëm me ushtrues detyre.

“Kolegji AAB është njëri ndër faktorët kryesor të kapjes së Agjencisë së Akreditimit dhe Ministrisë së Arsimit. Një institucion në Kosovë mund të udhëhiqet nga një ushtrues detyre deri në tre muaj, ndërsa që nga viti 2014 Ministria e ka lejuar që kjo Agjenci të udhëhiqet nga një U.D. Kjo letër do të jetë shtyrje definitive për largimin e Kosovës nga ENQA dhe EQAR”, tha Mazrreku.

Sipas Avni Mazrrekut, deklaratat e AKA-së rreth ndërhyrjeve të ISPE-së në Agjencinë e Akreditimit nuk janë të vërteta.

Ai tregoi që një pjesë e kallëzimit penal ndaj ministrit Bytyqi do të bëhet publike gjatë javës së ardhshme, kur edhe do ta dorëzojnë atë.

“Ndërhyrjet që kanë thënë mediumet që ka bërë ISPE-ja nuk janë të vërteta. Një pjesë e kallëzimit penal ndaj ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi do të bëhet publike”, ka thënë ai.

Letra me ankesat e këtij kolegji do t’i dërgohen ENQA-s dhe EQAR-it më 22 gusht, tha ish-drejtori i ISPE-së, Avni Mazrreku.

Për pasojat me të cilat mund të përballet Kosova pas kësaj ankese, sipas Mazrrekut, duhet të japë përgjegjësi vetëm ministri Bytyqi.

“Deri me datën 22 gusht është koha kur do të dërgohet letra. Kolegji ISPE nuk do të marrë përgjegjësi nëse Kosova përjashtohet plotësisht nga EQAR dhe ENQA si pasojë e letrës sonë. Përgjegjësia bie ekskluzivisht mbi ministrin e Arsimit nëse largohet Kosova”, shtoi ai.

Ditë më parë, ministri Shyqiri Bytyqi akuzoi Kolegjin ISPE për presion dhe shantazh ndaj Ministrisë dhe Agjencisë së Akreditimit.

https://kallxo.com/ministri-bytyqi-kolegji-ispe-po-me-ben-shantazh/

Ndërsa, të nesërmen, kolegji ISPE kërkoi nga ministri të publikojë dëshmitë për shantazh.

https://kallxo.com/ispe-kerkon-nga-ministri-bytyqi-ti-publikoje-deshmite-per-shantazh/

Kallxo.com