Konferenca për gazetarinë hulumtuese - Foto: KALLXO.com

Ispahiu: Politikanët po i Ikin Ballafaqimit të Ideve në Debate Publike

Drejtues të mediave nga Kosova, rajoni dhe Europa, kanë diskutuar sot në një konferencë për gazetarinë hulumtuese dhe sfidat e saj.

Në konferencën që u organizua nga “Le Courrier des Balkans”, Faik Ispahiu, drejtor ekzekutiv i Internews Kosova, foli rreth përdorimit të rrjeteve sociale nga politikanët.

Ispahiu tha se politikanët ndonjëherë i përdorin rrjetet sociale për komunikim njëkahor.

“Kur e mendojmë penetrimin e madh të mediave sociale, shfrytëzimi i këtij kanali prej politikanëve për komunikim njëkahor atëherë e vërejmë një vrimë e cila dita-ditës po rritet. Vrimë në të cilën mungon debati, në të cilën mungon sfidimi, në të cilën mungon ballafaqimi i barabartë i ideve të ndryshme”, theksoi Ispahiu.

Po ashtu, ai foli edhe për problemet që i përcjellin gazetarët në Kosovë dhe rajon.

“Kemi rastin në Serbi kur kemi errësirë mediale, ku kemi vetëm një parti politike e cila është e pranishme në të gjitha mediat. Pastaj rasti në Maqedoni ku një parti plotësisht i injoron të gjitha mediat dhe nuk merr pjesë në diskutime publike, debate publike, nuk merr pjesë në sfidim të ofertës së saj politike. Edhe në Kosovë kemi pasur tendencë për injorim të nevojës për debat publik. Kohën e fundit e kemi pasur nga Lista Srpska, e cila vetëm në një rast ka marrë pjesë në debat publik”, theksoi Faik Ispahiu gjatë konferencës.

Ndërsa, drejtuesi i gazetës online “Mediapart”, François Bonnet, tregoi se edhe në Francë ka probleme të mëdha në fushën e gazetarisë hulumtuese.

Bonnet tha se kontrata të mëdha, që kanë të bëjnë me interesin publik, mbahen sekrete.
“80% e informacionit kontrollohet nga 10 miliarderë”, tha Bonnet.

Ky i fundit shtoi se as në Francë gjendja e gazetarisë nuk është e mirë për shkak të mbylljes së informacionit.

Bonnet tregoi se “Mediapart” funksionon pa marketing për shkak se ka lexues të rregullt me parapagim.

http://kallxo.com/jeta-xharra-gazetaret-duhet-te-jene-me-te-guximshem/

Në pjesën e parë të kësaj konference, drejtoresha e BIRN Kosova, Jeta Xharra, ka thënë se të paktë janë ata që bëjnë gazetari hulumtuese.