Objekti ku do të vendoset Gjykata Speciale | Foto: Wikimedia

Ismet Tara javën e ardhshme intervistohet si i dyshuar në Hagë

Një nga ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rajonin e Rahovecit, Ismet Tara, do të udhëtojë këtë të diel për në Holandë, ku do të intervistohet nga Zyra e Prokurorit Special me seli në Hagë.

Ish-komandanti Tara, i cili ishte aktiv në UÇK gjatë kohës së luftës në rajonin e Rahovecit, ka konfirmuar për Radio Evropa e Lirë se të mërkurën është pajisur me vizë dhe se është njoftuar nga Gjykata Speciale se do të dëshmojnë në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.

“Do të udhëtojë me datë 3 mars”, tha Tara për Radio Evropa e Lirë.

Tara tha se ishte planifikuar që ai të dëshmonte me 17 shkurt në Hagë, porse një gjë e tillë u pamundësua pasi në Gjykatën Speciale, nuk kishin arritur të ia siguronin vizën për udhëtim.

Sa i takon mbrojtjes ligjore, Tara thotë se nuk dëshiron që të angazhojë avokat, pasi siç thotë nuk ka pse të kërkojë mbrojtje, sepse çdo veprim në luftë thotë ta ketë bërë për të mbrojtur popullatën civile.

“Nuk kam çfarë mbrohem sepse unë kam qenë luftëtar i lirisë, si mbrojtës i popullatës sime, shtëpisë sime, nuk e kam sulmuar askënd, as në Serbi as në Beograd, as në Rusi as askund”, tha Tara.

Gjatë kohës së luftës, Tara ishte komandant i brigadës “124” të Rahovecit.

Deri me tani Gjykata Speciale ka intervistuar disa nga figurat kyçe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke përfshirë Rrustem Mustafën, Sami Lushtakun si dhe së fundi i është dërguar ftesë për intervistë edhe Blerim Kuçit, aktualisht deputet i AAK-së.

Formimi i Gjykatës Speciale ka pasuar një raport të Këshillit të Evropës në vitin 2011, i cili ka konstatuar se ka prova të mjaftueshme për të nisur hetime kundër disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së, që dyshohet se kanë kryer krime kundër serbëve dhe disa shqiptarëve, gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Gjykata Speciale do t’i trajtojë krimet e supozuara që përfshijnë periudhën janar 1998 – dhjetor 2000.