Kryetari i ri i Federatës së Karatesë së Kosovës, Ismet Krasniqi, përshëndet delegatët për besimin e dhënë - Foto: KALLXO.com

Ismet Krasniqi, Kryetar i Ri i Federatës së Karatesë

Kryetari i deritanishëm i Federatës së Karatesë së Kosovës, Fadil Arifi, nuk arriti t’i sigurojë votat e mjaftueshme edhe për një mandat 4-vjeçar.

Nga 38 delegatë sa ishin të pranishëm në Kuvendin Zgjedhor, Arifi mori 17, ndërsa kundërkandidati i tij, Ismet Krasniqi, u zgjodh kryetari i ri i Federatës me 21 vota.

Në një fjalim rasti, Ismet Krasniqi i falenderoi delegatët për besimin që ia kanë dhënë.

“Do ta marr me shumë seriozitet këtë mandat. Do punojmë së bashku me të gjithë juve, edhe me ata që më kanë votuar edhe ata që s’më kanë votuar. Bashkë do të udhëheqim këtë shtëpi dhe ta dërgojmë përpara këtë Federatë”, tha Krasniqi.

Kuvendi zgjedhor me aklamacion zgjodhi edhe 2 nënkryetarët e Federatës, Milazim Halitin dhe Ismajl Fazliun.

Mirëpo, para se të fillonin punimet e Kuvendit Zgjedhor, kishte akuza ndërmjet delegatëve për kryetarin e deritanishëm Fadil Arifin.

Nazmi Gashi, përfaqësuesi dhe kryetrajner i klubit të karatesë “Bardhoshi” nuk pati fjalë të mira për kryetarin e deritanishëm. Sipas tij, Arifi ka qenë i vetmi që ka pasë qasje në paratë e Federatës.

“Disa klube nuk kanë qenë në agjendë të kryetarit”, tha Gashi.

“Fryrja, rritja dhe ikja e shpenzimeve është model i kryetarit”, vazhdoi ai.

Megjithatë, Nazmi Gashi u shpreh i gatshëm të punojë me cilindo që vjen në krye të Federatës.

“Kushdo që zgjedhet kryetar nga këto zgjedhje, që problemet që unë i përmenda të zgjidhjen njëherë e përgjithmonë. Ku secili trajner do të jetë informuar për vendimet e bordit. Mos ta shkruaj në Facebook kryetari veç kur ka problem ndonjë sportist i tij, por për të gjithë të ketë reagime”, tha në mes tjerash Gashi.

I pranishëm ishte edhe Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, i cili tha që në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020” mund të marrin pjesë edhe sportistët e karatesë. Andaj ai kërkoi nga ta që të punojnë sa më shumë që ta sigurojnë normën olimpike.

“Kërkoj nga ju që të punoni më shumë që të siguroni normën olimpike për lojërat olimpike të vitit 2020. E kjo do përkushtim, punë, angazhim nga ju. Mirëpo kjo do edhe një vizion të qartë për 4 vjetët e ardhshëm të ciklit olimpik”, tha kreu i Komitetit Olimpik.

Ndërsa zyrtarja nga Departamenti i Sporteve pranë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Afërdita Fazliu, e ka cilësuar karatenë si emblemën e sporteve luftarake.

KALLXO.com ka përcjellë më herët edhe kuvendet zgjedhore të dy federatave, asaj të KickBox-it dhe Sporteve Shkollore.

http://kallxo.com/shume-polemika-zgjidhet-kryetari-sporteve-shkollore/

http://kallxo.com/fatmir-makolli-per-te-trete-krye-te-kick-box/