Ismaili zotohet se rastet me infarkt do të trajtohen në dy orët e para

Janë rreth 3 mijë persona, apo 35% e të gjitha vdekjeve brenda vitit në Kosovë që shkaktohen nga sëmundjet e zemrës, u tha në prezantimin  e programit nacional për trajtim të infarktit të miokardit.

“Duke parë këtë situatë, për herë të parë në Kosovë, ne po krijojmë programin kombëtar për trajtimin e infarktit në dy orët e para në të gjithë vendin”, tha Ismaili.

Sipas tij për çdo vonesë prej 30 minutash pas infarktit, rreziku i vdekshmërisë rritet për 7.5 përqind.

“Me këtë program, kur një qytetar do të ballafaqohet me sulmin në zemër, kudo që jeton ai në Kosovë, brenda dy orëve do të reagojë i gjithë zinxhiri shëndetësor, me procedura të përshpejtuara, dhe pa asnjë vonesë do ta sjellë atë në QKUK, për t’ia shpëtuar jetën”, tha ai.

Ismaili tha se me shërbimin 24-orësh për sëmundjet e zemrës dhe stentimin në QKUK dhe tani me këtë program do të shtohen shanset e qytetarëve për mbijetesë.

“Programi do të zhvillohet në tri faza dhe puna për realizimin e tij do të fillojë menjëherë”, tha ai.

Ky projekt nacional parasheh që në rast të infarkteve akute në krejt Kosovën të bëhet reagimi dhe raportimi i shpejtë dhe pacienti të arrijë në QKUK brenda dy orëve të para pas infarktit.

Kosova bëhet ndër vendet e para të rajonit që ka krijuar këtë program, i cili është ndër projektet më të mëdha nacionale në fushën e shëndetësisë që nga paslufta.