Ministri Uran Ismaili në takim me deputetët gjermanë - Foto: Facebook/UranIsmaili

Ismaili merr mbështetjen e deputetëve gjermanë për reformat në shëndetësi

Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili është pritur sot në Berlin nga Komisioni për Shëndetësi i Bundestagut.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Shëndetësisë, deputetët gjermanë kanë shprehur gatishmërinë e tyre dhe të shtetit gjerman për të mbështetur reformat në shëndetësinë kosovare.

Në ditën e parë të vizitës, ministri Ismaili ka takuar deputetët e Komisionit për Shëndetësi të Bundestagut, me në krye kryetarin e Komisionit, Erwin Rüddle.

Duke folur për shëndetësinë, ministri Ismaili u tregoi deputetëve gjermanë për reformat të cilat janë duke u realizuar për transformimin e shëndetësisë kosovare.

Që këto reforma të jenë më të shpejta, ministri Ismaili kërkoi ndihmën e Gjermanisë për të përmirësuar shërbimet shëndetësore.

“Ne tashmë u kemi hyrë reformave të thella në shëndetësi në Kosovë. Por, në proceset e rëndësishme për vendin tonë, gjithmonë është e mirëseardhur ndihma e Gjermanisë. Edhe këtë herë, ne diskutuam për mundësitë e bashkëpunimit mes dy vendeve tona”, tha ministri Ismaili pas takimit, sipas komunikatës së Ministrisë së Shëndetësisë.

Trajnimi i profesionistëve shëndetësorë, binjakëzimet mes spitaleve, prurja e ekspertëve të ndryshëm nga Gjermania në Kosovë për të ndihmuar përmirësimin e shërbimeve shëndetësore ishin disa nga kërkesat dhe temat e diskutimit.

Në këtë drejtim, kryetari i Komisionit për Shëndetësi në Bundestag, Erwin Rüddle, duke përgëzuar ministrin Ismaili për punën që është duke bërë për transformimin e shëndetësisë në Kosovë, shprehi gatishmërinë e tij dhe Kë komisionit për ndihmë në këtë aspekt.

“Ishte një takim shumë i mirë. Na vjen mirë për punën që është duke u bërë atje. Ne jemi të gatshëm që të ofrojmë çfarëdo bashkëpunimi për të cilin do të keni nevojë”, ka thënë Rüddle sipas komunikatës.

Përveç diskutimit për shëndetësi, ministri Ismaili kërkoi edhe mbështetjen e deputetëve gjerman për liberalizimin e vizave për Kosovën, si vendi i vetëm në Ballkan pa të drejtën e lëvizjes së lirë.