Takimi i kryeministrit me ministrin | Foto: Facebook

Ismaili: Do bëjmë zgjidhje për barnat

Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili gjatë vizitës së kryeministrit Ramush Haradinaj në këtë ministri, është zotuar se do të bëjnë zgjidhje për barnat esenciale.

Ministri Ismaili tha se lista esenciale e barnave ka qenë një brengë shumë e madhe dhe se mungesa e barnave është një aspekt që e bën varfërimin e qytetarëve.

“Zotohem se do të bëjmë zgjidhje për barnat që qytetarët të mos arrijnë të bëjnë blerje siç bëjnë sot”, ka thënë Ismaili.

Ministri u zotua se do të vendoset sistem i mirëfilltë  i menaxhimit të barnave.

“Jemi në përfundim të zgjidhjes përfundimtare, pra jemi në përfundim të blerjes së barnave “, tha ai.

Ndërkaq, Kryeministri Ramush Haradinaj tha se është duke u bërë një punë serioze për ta vendosur një rregull definitiv në çështjen e listës esenciale të barnave, mirëpo që të vendoset një rregull definitiv e i qëndrueshëm merr më shumë kohë.

“Disa ndërhyrje kanë ndodhë, disa veprime të menjëhershme kanë ndodhë, por për t’u vendosur ai stabilitet merr një kohë”, tha Kryeministri Haradinaj.

KALLXO.com pati raportuar për hartimin e draftit të udhëzimit administrativ që rregullon çmimet e produkteve nga Lista e Barnave Esenciale.