Ministri Uran Ismili me hommologun e tij kroat, Milan Kujundzic - Foto: Facebook

Ismaili: Brenda Dy Vitesh, Qytetarët Bëhen me Sigurime Shëndetësore

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka premtuar se brenda dy viteve të para të mandatit të tij, qytetarët e Kosovës do të jenë të mbuluar nga sigurimet shëndetësore.

“Brenda dy viteve të para të këtij mandati edhe qytetarët tanë do të jenë të mbuluar nga sigurimet shëndetësore të Kosovës”, ka shkruar Ismaili në Facebook.

Ai pas takimit që kishte me ministrin kroat të Shëndetësisë , Milan Kujundzic, ka shkruar se Kroacia vazhdon të jetë mbështetëse e Kosovës në të gjitha proceset e saj të rëndësishme.

“Reformat e mëdha që ka kaluar ky shtet para hyrjes në BE, me ministrin e Shëndetësisë kroat, Milan Kujundzic, u pajtuam që t’i bartim edhe në Kosovë”, ka shkruar Ismaili.

Sipas tij forcimi i kapaciteteve profesionale të Ministrisë, përmirësimi i gjendjes nëpër klinika dhe edukimi i vazhdueshëm për profesionistët shëndetësorë, janë tri pikat kyçe në të cilat Kroacia do ta ndihmojë Kosovën në vitet në vijim.

Gjatë ditës, Ismaili ka thënë se ka vizituar Fondin e Sigurimeve Shëndetësore të Kroacisë me të cilin vendosën marrëdhëniet e para bilaterale pas luftës për ngritjen e sigurimeve shëndetësore.