Ministri Uran Ismaili - Foto: Facebook/UranIsmaili

Ismaili: 2019, viti i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili ka thënë se do t’i orientojnë të gjitha kapacitetet që fundi i vitit 2019 ta gjejë Kosovën me funksionalizimin e plotë të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

“Vitin e kaluar kam thënë se 2019-ta do të jetë viti i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Në vizitën që pata sot në këtë institucion, unë i sigurova edhe një herë për mbështetjen time të plotë në punën e tyre. Së bashku me drejtorin e Fondit, Fatmir Plakiqin, këtë vit do të orientojmë të gjitha kapacitetet tona që fundi i vitit të na gjejë me funksionalizimin e plotë të Fondit”, ka shkruar ministri Ismaili në postimin e tij në Facebook.

Ai ka thënë se nga gjysma e dytë e këtij viti, për herë të parë në Kosovë, do të fillojnë edhe me kompensimin e barnave jashtëspitalore, si hapin e parë konkret drejt qëllimit final: sigurimet shëndetësore.