Gjykimi i Kujtim Zararit - Foto: KALLXO.com

Ish-zyrtari i QKMF-së dëshmon kundër drejtorit që e largoi nga puna

Musa Gjergjaj, ish-drejtor i administratës në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dëshmoi në gjykatë ndaj drejtorit të kësaj qendre, Kujtim Zarari që po akuzohet se e largoi jashtëligjshëm nga puna

Zarari akuzohet se në qershor të vitit të kaluar, në cilësinë e Drejtorit të QKMF-së, ka tejkaluar kompetencat e tij kur e ka larguar nga pozita drejtorin e Administratës në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjarë në Gjakovë, të dëmtuarin Musa Gjergjajn.

Aktakuza thotë se këtë vendim Zarari e ka marrë në kundërshtim me Ligjin për Shërbyes Civil të Kosovës.

Sipas aktakuzës i vetmi organ që mund ta largojë nga puna shefin e administratës është kryetari i komunës.

Musa Gjergjaj deklaroi se me të akuzuarin Zarari, kishin pasur disa probleme të cilat kishin përfunduar me rast të hapur në gjykatë, në të cilin rast Gjergjaj ka qenë i akuzuar për lëndim të lehtë trupor.

“Pas kësaj mosmarrveshje që kemi pasur në mes vete, kam marrë vendimin për pezullim nga puna”- tha i dëmtuari Musa Gjergjaj.

“Kundër këtij vendimi kam bërë ankesë në Ispektoriatin e Punës dhe më kanë thënë që në këtë rast nuk ka shkelje ligjore, ndërsa përgjigjja e ankesës nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës është bqë vendimi për suspendim nga puna ka qenë i kundërligjshëm”- dëshmoi Gjergjaj.

Në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues Shaqir Zika, drejtuar të dëmtuarit Musa se a dëshiron ti bashkangjiteni ndjekjes penale dhe kompenzimit të dëmit?

“Unë kërkoj nga gjykata që i akuzuari Kujtim Zarari të dënohet sipas ligjit, ndërsa për kompenzimin e dëmit do të ushtroj padi pranë gjykatës”,tha në përgjigjen e tij i dëmtuari Musa Gjergjaj.

Gjykimi i sotëm u ndërpre dhe i njëjti u caktua për muajin dhjetor, me qëllim që të dëgjohen edhe dëshmitarë të tjerë në lidhje me këtë rast.

Ndërsa në gjykimin e mbajtur në gusht të këtij viti, Zarari ishte deklaruar i pafajshëm.

Pas kësaj, mbrojtësi i të akuzuarit Kujtim Zarari avokati Teki Bokshi, kishte kundërshtuar aktakuzën, me arsyetimin se në veprimet e të mbrojturit të tij nuk ka pasur përfitim material e as shkaktim të ndonjë dëmi.

Ndërkaq Gjykata e Gjakovës, kishte liruar nga akuza për keqërdorim të detyrës zyrtare të akuzuarin Zarari, duke thënë që në veprimet e tij nuk ekziston elementi i veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, që është përfitimi i kundërligjshëm pasuror.

Pas lirimit të tij nga akuza, Prokuroria me përfaqësuesin e aktakuzës prokurorin Agron Matjani, kishte bërë ankesë në Gjykatën e Apelit.

Gjykata e Apelit, ankesën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë e ka aprovuar duke e kthyer rastin në rivendosje, për shkak se i njëjti ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të autoritetit zyrtar.

https://kallxo.com/lirohet-nga-aktakuza-drejtori-i-qkmf-se-ne-gjakove/