Gjykimi ndaj zyrtarit të FINCA-s - 28 janar 2019

Ish-zyrtari i 'FINCA'-s kërkon marrëveshje për pranimin e fajësisë

Arbër Spahiu, i akuzuari për keqpërdorim të detyrës zyrtare, hyn në marrëveshje për negocim të fajësisë.

Prokuroria pretendon se  Arbër Spahiu në cilësinë e personit zyrtar, si analistë kreditor në Institucioni mikro-financiar “FINCA” dega në Gllogoc ka marrë 1550 euro, të dorëzuara nga klientët Labinot Imeri, Muhamet Ramadani dhe Shkelzen Xhemajli me qëllim të përftimit të kundërligjshëm.

I pyetur nga kryetari i trupit gjykues Hamdi Ibrahimi në lidhje  me fajësinë, ai deklaroi se e pranon fajësinë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa lidhur me veprën penale përvetësim në detyrë i akuzuari deklaroi se nuk ndihet fajtorë.

I akuzuari Spahiu tutje shtoi se të hollat që i ka marrë nga Shkelzen Xhemajli 900 euro, Muhamet Ramadani 500 euro dhe Labinot Imeri 150 euro, i ka marrë në mënyre shoqërore dhe jashtë orarit të punës, dhe sipas tij këto të holla nuk i ka marrë si punëtor i institucionit mikro-financiar “Finca”.

Gjithashtu i akuzuari theksoi se sipas marrëveshjes me këta tre persona, të hollat jua ka kthyer, ndërsa me institucionin mikro-finaciar “Finca” nuk ka asgjë.

Mbrojtësi i të akuzuarit avokati Kushtrim Palushi, tha se pas ngritjes së aktakuzës kanë kërkuar nga prokurori që të hyjnë ne negocim për pranim të fajësisë,

“Prokurori ka insistuar, për kundër dëshmive nga i akuzuari se mjetet e pranuara nuk i ka marrë si zyrtar në kuadër te “Fincës”, por i ka marrë në bazë të qytetarëve privat të cilat edhe i ka kthyer të njëjtat mjete”, deklaroi Palushi.

Sipas avokatit çdo dëm i mundur që është shkaktuar nga këta persona i njëjti i është kompensuar.

“Aktakuza nga ana e prokurorisë nuk bazohet me asnjë provë të cilat vërtetojnë elementet e veprës penale të përvetësimin në detyrë. Nëse prokurori nuk  e rikualifikon veprën penale, kërkojmë nga trupi gjykues që t`i shqyrtojë elemente e saj dhe nëse nuk hedhet aktakuza, prokuroria le ta bëjë rikualifikimin e saj”, kërkoi avokati Palushi.

Prokurori i shtetit, Feti Tunuzliu tha se lidhur me kompensim e dëmit që ka shkaktuar i akuzuari, ky  kompensim sipas tij është bërë pas ngritjes se aktakuzës dhe jo para ngritjes së aktakuzës.

“Sa i përket pranimit të fajësisë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, kërkoj nga gjykata që t`i jepet një kohe e arsyeshme, për të shqyrtuar kërkesën për negocim për pranim të fajësisë. Në fillim të negociatës nuk kishin një deklaratë të tillë nga mbrojtësi i akuzuarit dhe nga vet i akuzuari”, deklaroi prokurori Tunizliu.