Ish-zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë lirohen dhe parashkruhen për disa tenderë

Gjykata e Prishtinës i ka liruar nga akuza ish-zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë, Besnik Dërmakun, Hidajete Gashin dhe Naim Krasniqin të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismajli, deklaroi se për të akuzuarin Besnik Dërmaku, i akuzuar për keqpërdorim i pozitës, është refuzuar akuza për shkak se ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale, ndërsa është liruar nga akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare në tentativë.

Ndërsa Hidajete Sadiku, është liruar nga akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare në tentativë, ndërsa për veprën penale keqpërdorim i pozitës zyrtare është refuzuar akuza për shkak të parashkrimit absolut.

Po ashtu edhe Naim Krasniqi i cili akuzohej për keqpërdorim të pozitës zyrtare në tentativë, është liruar nga akuza për arsye se nuk është vërtetuar se i njëjti ka kryer këtë vepër penale për të cilën akuzohet.

Gjithashtu nga akuza për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike, janë liruar edhe Kushtrim Muqolli, Shkëlqim Osmani dhe Agim Beqiraj.

Sipas gjykatësit Ismajli për këta tre të akuzuar nuk është vërtetuar se kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen.

Kurse shpenzimet e procedurës penale gjykatësi Ismajli tha se bien barrë e gjykatës, ndërsa palët e pakënaqura kanë të drejtë  të ushtrojë ankesë ndaj këtij aktgjykimi.

Të pranishëm në sallën e gjykatës ishin të gjithë të akuzuarit së bashku me mbrojtësit e tyre, kurse prezent nuk ishte prokurori special Atdhe Dema.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) kishte ngritur aktakuzë pas pretendimit se prej 22 nëntorit 2008 e deri më 31 dhjetor 2010, duke vepruar si zyrtarë në Ministrisë së Drejtësisë, i pandehuri Besnik Dërmaku si Drejtor i Departamentit të Prokurimit, Hidajete Sadiku si zyrtare e Lartë e Prokurimit dhe Naim Krasniqi si zyrtarë i Transportit, me qëllim të shkaktimit të dëmit për buxhetin e Ministrisë së Drejtësisë dhe përfitimit të dobisë pasurore për vete duke i favorizuar në tenderë të ndryshëm operatorët ekonomikë: “Albus”, “PBC-Kosova”, “Lesna”, “Getoari dhe Dreni Inginiering” dhe “Auto Kaqandolli”.

Sipas prokurorisë, ata kanë keqpërdorur pozitën zyrtare, duke i shkaktuar dëm buxhetit të MD-së, në shumë prej 10.080 euro.

Të pandehur janë edhe Kushtrim Muqolli, Shkëlqim Osmani dhe Agim Beqiraj, të cilët akuzohen për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.

Në aktakuzë thuhet se Muqolli, si përfaqësues i operatorit ekonomik “Albus”, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe për operatorin ekonomik “Albus”, me rastin e aplikimit për tender për furnizim me toner për MD-në, kishte prezantuar ofertë të rreme, duke plotësuar rubrikat e aplikacionit dhe specifikacionet e tonerëve për të cilët Ministria nuk i ka përfshirë në listë fare.

Ndaj të pandehurit Shkëlqim Osmani, ekspert në kuadër të kompanisë “Vizion Projekt”, si kompani mbikëqyrëse e punëve të kryera nga ana e kompanisë “Lesna”, gjatë ndërtimit të objektit të destinuar për dëshmitarë të mbrojtur në Dubravë, me qëllim të realizimit të përfitimit të kundërligjshëm për organizatën “Vizion Projekt”, dhe kompaninë “Lesna”, ka raportuar se punët janë kryer sipas planit dinamik të caktuar nga MD-ja.

Tutje në aktakuzë thuhet se pas gjendjes faktike deri atëherë ishin kryer vetëm gjysma e punëve dhe në bazë të këtij raporti, Ministria ia kishte paguar operatorit ekonomik “Lesna” shumën prej 1.492.975 euro

Sipas aktakuzës i pandehuri Osmani i ka shkaktuar dëm MD-së, duke i mundësuar kompanisë “Lesna” që mos të penalizohet për vonesat gjatë kryerjes së punëve.

Ndërsa i pandehuri Agim Beqiraj, inxhinier i kompanisë “Lesna”, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për të njëjtën kompani, akuzohej se i kishte shkaktuar dëm MD-së në shumën prej 22.863.56 euro.