Ish-zëdhënësi i NATO-s kujton pritjen e kosovarëve pas bombardimeve

I rrethuar me njerëz dhe përqafime, Jamie Shea, ish-zëdhënës i NATO-s e kishte kaluar një ditë qershori në rrugët e Kosovës.

Në një intervistë ekskluzive për emisionin ‘Jeta në Kosovë’, Shea ka folur për këtë eksperiencë afro 20 vite pas fushatës së bombardimeve.

Ai tha se falenderimi që kishte parë te populli Kosovar i bën ato ditë më të preferuarat gjatë punës së tij në NATO.

“Njëra ndër momentet më të mira të asaj videoje janë pamjet nga ajo ditë e çmendur kur po ecnim nëpër Prishtinë bashkë me (Javier) Solanën, me Ëesley Clark, (Mike) Jackson dhe me komandantët e NATO-s. Dhe, papritmas vetëm kur pamë që me mijëra kosovarë dolën të na japin një mirëseardhje fantastike, ngase na kishin njohur kur na kanë parë. Për mua, ky ishte një shpërblim për gjithë atë që kishim dashur të arrinim gjatë fushatës ajrore për të kthyer lirinë te kosovarët”, tha Shea.

Ai shtoi se ishte befasuar se sa shumë kosovarë i kishin ndjekur konferencat e tij.

“Nuk e kishim as idenë më të vogël që njerëzit në Kosovë po dëgjonin në radio apo kishin qasje në televizion. Do të jem i sinqertë me ju, ne kishim menduar që kosovarët duke qenë se ishin duke u fshehur, ishin nëpër bodrume, pra në një gjendje shumë stresuese, dhe kështu ne po mendonim që ata nuk kishin qasje në televizion apo në radio”, tha ai.

Intervistën e plotë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: