Ish-ushtari i Limajt zgjedhet drejtor i Agjencisë për Verifikim të Pronës

Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme e ka zgjedhur Naser Shalën drejtor ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

Përderisa, Shala arriti të marrë 50 vota të deputetëve për pozitën e tij, këtë fat nuk e patën dy kandidatët e tjerë për pozitën e zëvendësdrejtorit.

Në mënyrë që të plotësohet kjo pozitë konkursi për zëvendësdrejtor të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës u vendos që të përsëritet.

Ndryshe, Naser Shala ka qenë i akuzuar më 25 korrik 2011 së bashku me Fatmir Limajn nga Prokuroria Speciale për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës në rastin “Kleçka”.

Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte shpallur të pafajshëm Limajn dhe nëntë bashkëluftëtarët e tij. 

Ndërkaq, Gjykjata Supreme e Kosovës përfundimisht më 24.05.2017 kishte vërtetuar pafajësinë e këtyre të akuzuarve.

KALLXO.com ka siguruar CV-në e Naser Shalës.

Bazuar në CV-në e tij, Naser Shala që nga tetori i vitit 2017 është menaxher i furnizimit të shitjes në ‘Potreloum Coke Kosovo’ në Prishtinë. Pozitë të njëjtë kishte pasur edhe në ‘Team Oli Sh.P.K’ si menaxher i furnizimit, nga marsi deri në tetor të 2017.

Shala, nga janari i vitit 2004 deri në janar 2017 ka mbajtur pozitën menaxher kryesor në Barnatoren Qendrore, QKUK.

Shala është ekonomist i diplomuar në Universitetin e Prishtinës.

Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (AKKVP) e pason Agjencinë Kosovare të Pronës.

AKKVP-ja është themeluar me miratimin nga Kuvendi i Republikës së Kosovës më 9 qershor 2016.

Kjo Agjenci ka për mandat të pranojë, krahasojë dhe përmes Komisionit për Verifikim dhe Vendosje për Prona (KVVP) të zgjidhë dallimet dhe mos pajtueshmëritë në mes të dokumenteve kadastrale origjinale të para qershorit të vitit 1999, të cilat janë marrë nga Kosova nga autoritetet serbe dhe të dokumenteve kadastrale aktuale në Republikën e Kosovës, për pronën private, pronën private komerciale dhe pronën private të bashkësive fetare.