Enver Hadri. Foto: T. Hadri/Creative Commons.

Ish-Spiuni Jugosllav Dënohet për Vrasjen e Enver Hadrit

Një gjykatë në Bruksel të martën dënoi Bozhidar Spasiqin, ish-kreun e operacioneve speciale të policisë sekrete jugosllave, UDBA, dhe anëtarët e bandës kriminale serbe Andrija Drashkoviq dhe Veselin Vukotiq, për vrasjen e aktivistit kosovar Enver Hadri në kryeqytetin belg më 25 shkurt 1990.

Hetimi zbuloi se kjo ishte një vrasje politike e sponsorizuar nga UDBA, duke përdorur dy anëtarët e bandës si ekzekutorë, raportuan mediat belge.

Të tre burrat u gjykuan në mungesë. Ata besohet se jetojnë në Serbi. Dënimet e tyre do të shpallen më vonë.

Dy të dyshuar të tjerë që dyshohet se kanë marrë pjesë në vrasjen Hadrit, Andrija Lakoniq dhe Darko Asanin, u vranë në Serbi në vitet 1990.

Vukotiq u arrestua në vitin 2006 në aeroportin e Madridit pasi kishte qenë në arrati për 16 vjet.

CNN raportoi në atë kohë se ai kërkohej edhe si dëshmitar i mundshëm për të dëshmuar në gjyqin e ish-presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq në Gjykatën e krimeve të luftës në Hagë për shkak se dyshohej se ai dikur kishte dokumente që lidhnin Millosheviqin me disa vrasje të ndryshme.

Ai po i ikte gjithashtu një dënimi për vrasjen e një personi në një klub nate në Mal të Zi, për të cilën ai bëri tetë muaj burg në Serbi para se të lirohej për shkaqe humanitare pas pësimit të një infarkti gjatë një operacioni një zemër, thanë zyrtarët.

Megjithatë, një raport nga BIRN në vitin 2011 zbuloi se ai ishte liruar për shkak se ai pranoi të bëhej informator dhe të siguronte informacione në lidhje me gangsterët malazezë.

Viktima, Enver Hadri, ishte një nacionalist dhe aktivist etnik shqiptar nga Kosova që kishte ikur në Belgjikë në vitin 1972.

Fillimisht ai ishte aktiv në Rezistencën Kombëtare të Shqiptarëve të Kosovës dhe më vonë themeloi Komitetin për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë.

Pas dënimeve, familja e Hadrit akuzoi autoritetet serbe se po mbronte fajtorët.

“Vrasësit këtë herë nuk ishin ulur në bankën e të akuzuarve, sepse shteti serb i ka mbrojtur ata me çdo mënyrë të mundshme”, thuhej në një deklaratë të lëshuar nga vajza e tij, Teuta Hadri.

Hadri u vra disa ditë para se ishte programuar të paraqiste një raport të detajuar të vdekjeve të dhjetëra shqiptarëve etnikë në duart e policisë jugosllave në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Aktivistë të tjerë shqiptarë të Kosovës që dyshohen se janë vrarë nga UDBA janë gazetari dhe këngëtari disident Jusuf Gërvalla, vëllai i tij Bardhosh Gërvalla dhe emigranti politik Kadri Zeka, të cilët janë vrarë të gjithë në Shtutgart, Gjermani, në vitin 1982.