Shefja e re e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou

Ish-Shefja e Zyrës Greke Nis Drejtimin e EULEX-it

Zyra për Informim e EULEX-it bën me dije se Alexandra Papadopoulou ka marrë detyrën e drejtimit të misionit evropian në Kosovë.

Kjo zyrë në njoftimin e saj tregon se Papadopoulou edhe më parë shërbeu në Kosovë.

“Sot e mori detyrën si shefe e re e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).  Zj. Papadopoulou, një diplomate e lartë greke me përvojë të gjatë në Ballkan. Ka shërbyer edhe më parë në Kosovë si shefe e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në vitin 2000,” thuhet në njoftimin e EULEX-it.

Sipas njoftimit, Papadopoulou në ditën e parë si shefe e EULEX-it u zotua për ndihmë autoriteteve kosovare për sundim të ligjit.

“Kam kënaqësinë të jem shefja e re e Misionit EULEX dhe të vazhdoj t’i ndihmoj autoritetet në ndërtimin e një sistemi të pavarur dhe efikas të drejtësisë këtu në Kosovë,” tha Papadopoulou.

Diplomatja greke ishte më parë përfaqësuese e përhershme e Greqisë në Bashkimin Evropian në Bruksel, si dhe drejtoreshë e përgjithshme për çështje të BE-së në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Greqisë, kur ky shtet kryesoi Bashkimin Evropian në vitin 2014.

Papadopoulou punoi edhe si zëvendëspërfaqësuese e përhershme e Greqisë në OKB, ndërsa ishte edhe shefe e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Shkup për pesë vjet.

Në krye të EULEX-it Papadopoulou zëvendësoi diplomatin italian Gabriele Meucci.

Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit sivjet iu vazhdua mandati deri në qershor të vitit 2018.

Kjo është hera e parë që Bashkimi Evropian emëron në krye të EULEX-it përfaqësues nga një shtet që ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.