Gjykimi për rastin 'Stenta 1" - Foto: KALLXO.com

Ish-sekretari i MSh-së: Për vazhdimin e marrëveshjeve me spitalet private pata pëlqimin e Aganit

Ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabani tha se të gjitha marrëveshjet që Ministria i kishte lidhur me spitalet private ishin bërë pas konsultimit me ish-ministrin Ferid Agani.

Shabani tregoi se kishte pasur mbështetje politike nga ish-ministri Agani që marrëveshjet me spitalet private të vazhdohen.

“Po kam shkuar disa herë të Ministri për t’u konsultuar për vazhdimin e  këtyre marrëveshjeve  dhe nga ministri kam marrë pëlqimin, më ka thënë që të zbatohet udhëzimi administrativ dhe që e kam mbështetjen e tij politike për këto marrëveshje”, tha i akuzuari Shabani.

Kështu  ai tha në seancën e sotme ku së bashku me të po gjykohet edhe ish-ministri i Shëndetësisë Ferid Agani, në rastin e njohur “Stenta 1”, të cilët akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Më pas ai tregoi se  marrëveshjet i kishte vazhduar në mandatin e tij, jo vetëm me dy spitalet private “IMH” dhe “EDA”, por me më shumë se nëntë spitale.

Sipas të akuzuarit Shabani, Ministria e Shëndetësisë kishte marrëveshje edhe me spitalet e tjera private si: Rezonanca, Euromed, Klinika e syve dhe të tjera.

Në pyetjen e prokurores Florije Shamolli se a kishte qenë në kompetencë të detyrave të  tij edhe nënshkrimi i marrëveshjeve, i akuzuari tha se kanë qenë muajt e parë që  jam caktuar ushtrues  detyre për sekretarin e përgjithshëm. “Unë nuk kam qenë i njoftuar se duhet me u vazhdu ato marrëveshje meqenëse  afati i tyre kishte skaduar më 30 dhjetor 2011 ndërsa  unë në detyrë kam ardhur më 12 janar 2012, ndërsa marrëveshjet janë vazhduar më 23 prill 2012”, u përgjigj i akuzuari Gani Shabani.

Sa i përket marrëveshjes në mes spitalit publik dhe atyre privat, Shabani tregoi se kishte pasur takim me dy këshilltarë nga kabineti i ministrit ku sipas tij ata kishin treguar se kanë mbetur disa muaj pa marrëveshje, dhe se nga ai kishin kërkuar të zbatohet udhëzimi administrativ në lidhje me vazhdimin e marrëveshjeve.

Duke u përgjigjur në pyetjen e prokurores Shamolli nëse e kishte pyetur ministrin se pse duhet ai t’i nënshkruante këto marrëveshje, Shabani tha se nuk do t’i kishte nënshkruar marrëveshjet pa u konsultuar me ish-ministrin Agani pasi sipas tij ai kishte pasur rreth një viti në pozitën e ministrit kurse vetë kishte filluar rishtazi punën si sekretar i MSh-së.

Më pas i akuzuari Shabani tha se së pari prioritet ka qenë shpëtimi i njerëzve nga infarkti akut, ku sipas tij spitali privat Rezonanca, çdo të  dhjetin pacient e kishte mjekuar pa pagesë.

Kurse sa i përket licencave, Shabani tha se edhe spitali privat “IHM” si dhe “EDA”, kishin pasur licenca valide.

Tutje ai tregoi se para se t’i nënshkruante marrëveshjet me këto spitale, personalisht nuk i kishte vizituar, sepse nuk ishte detyrë e tij, por e Inspektoratit mjekësor dhe Komisioni mjekësor,  dhe se ata  kishin bërë vlerësimin sa i plotësojnë kushtet këto spitale.

Ish-sekretari tregoi se për shërimin e personave në spitalet private shumat deri në 10 mijë euro i kishte nënshkruar vetë, ndërsa shumat mbi 10 mijë euro kishte nënshkruar edhe ministri Agani.

“Marrëveshjet kanë qenë nga data  23 prill 2012 deri më 22 prill 2013, dhe asnjëherë nuk ka pasur marrëveshje mbas kësaj date. Sepse kanë qenë marrëveshje një vjeçare ndërsa pacientët kanë shkuar edhe mbas asaj dite, edhe sot shkojnë për mjekim” tha Shabani.

Kurse kritika nga mjekët i akuzuari tha që asnjëherë nuk kishte pasur, ku sipas tij edhe dëshmitari doktori Tefik Bekteshi kishte deklaruar se ato marrëveshje kishin qenë të lidhur mes QKUK e jo mes sekretarit të MSh-së.

Me propozimin e avokatit Nikë Shala seanca është ndërprerë dhe është caktuar për 17 prill, ku i akuzuari Shabani do merret në pyetje nga trupi gjykues.

https://kallxo.com/pacientet-referoheshin-ne-spitale-private-stentave-u-skadonte-afati-ne-depote-e-qkuk-se/

Në rastin ‘Stenta’ të akuzuar janë 44 mjekë dhe 1 infermier të punësuar në institucione publike shëndetësore dhe 13 punonjës ose ish-punonjës të sektorit privat shëndetësor.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale pretendon për një rrjet abuziv të mjekëve.

Procedura ndaj Aganit dhe Shabanit është veçuar me qëllim që gjykata të optimizojë procedurën.

Aktakuza i ngarkon të pandehurit se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik dhe udhëzimet administrative të Ministrisë së Shëndetësisë duke lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore për periudhën 2011 -2015.

Sipas aktakuzës, Ferid Agani dhe Gani Shabani i kanë mundësuar përfitim financiar spitalit privat “IMH” në shumë prej 4,050,958.00 euro dhe spitalit privat “EDA” në shumën prej 504,595.00 euro, apo të dyja spitaleve në shumë të përgjithshme prej 4,555,553.00 euro, duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës.