Gjykimi i ish-ministrit Ferid Agani dhe ish-sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë - Foto: KALLXO.com

Ish-sekretari i MSh-së: Nuk kisha presion kur nënshkrova marrëveshjet me spitalet private

Ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabani, në gjykimin e tij dhe të ish-ministrit Ferid Agani, tha se nuk kishte pasur presion nga askush kur kishte nënshkruar marrëveshjet me dy spitalet private “IHM” dhe “EDA”, por kishte pasur vetëm sugjerime.

Marrëveshjet të cilat i kishte nënshkruar me këto  dy spitale private ai deklaroi se ishin vazhduar nga viti 2012 deri në vitin 2013, dhe sipas tij pas kësaj date asnjëherë nuk janë vazhduar.

“Marrëveshjet kanë qenë të vazhduara prej vitit 2012 deri vitin 2013, dhe asnjëherë nuk kanë qenë të vazhduara dhe nuk ekziston asnjë dëshmi me të cilën do të vërtetohet vazhdimi i nënshkrimit të marrëveshjeve”, tha i akuzuari Shabani.

Gjatë seancës së kaluar ai kishte thënë se të gjitha marrëveshjet që Ministria i kishte lidhur me spitalet private ishin bërë pas konsultimit me ish-ministrin Ferid Agani.

Në këtë rast, i njohur si “Stenta 1”, për keqpërdorim të detyrës zyrtare po akuzohen Shabani e Agani.

Në pyetjen e prokurores Florije Shamolli se pas skadimit të afatit a është dashur që këto marrëveshje  të vazhdohen, sepse në shkresat e lëndës ekzistojnë prova për pagesat e shërbimeve të ofruara në spitalet private që janë kryer deri në periudhën 2015, i akuzuari Shabani tha se e ka cekur që marrëveshjet e bashkëpunimit të lidhura mes MSh-së dhe dy klinikave private kanë qenë deri në vitin 2013.

“Pas kësaj date nuk janë vazhduar asnjëherë, mirëpo pacientët kanë vazhduar trajtimin me këto klinika në të njëjtën mënyrë sikur kur kanë ekzistuar edhe marrëveshjet e bashkëpunimit me shkrim”, u përgjigj i akuzuari Gani Shabani.

Më pas i akuzuari tregoi se arsyeja a këtyre marrëveshjeve të bashkëpunimit  mes MSh -së dhe spitaleve private kishe qenë që të trajtohen rastet emergjente të cilat nuk kanë mundur të kryhen në QKUK.

Kurse sa i përket konsultimit me Zyrën e pProkurimit brenda MSh -së, Shabani tha se ishin konsultuar me Besnik Cenajn, drejtorin e Prokurimit, ku sipas tij lidhur me këto konsultime ekziston edhe procesverbali i datës 13.03.2012.

I akuzuari Gani Shabani tregoi se Kardiologjia Invazive pas përfundimit të procedurës dhe nënshkrimit të kontratës kishte filluar punën. Dhe sipas tij afati i kontratës me furnizimin me barna dhe materiale harxhuese kishte qenë afro dy vite.

Ndërsa sa u përket stentave se a ishin vendosur në QKUK, i akuzuari Shabani tha se  në vitin 2011 ishin vendosur rreth 20 stenta ndërsa në vitin 2012 ishin bërë rreth 290 koronarografi.

Tutje ish sekretari i MSh –së tregoi se nuk ka pasur ndonjë rast që pacientet të ishin ankuar se nuk iu kanë vendosur stentat, por nëse pacientët kishin dyshuar për këtë gjë sipas tij ata kanë pasur edhe mundësi që ta bëjnë verifikimin e tyre përmes aparaturës.

Ndërsa në pyetjen e kryetares së trupit gjykues Shadije Gërguri, se a kishte pasur dijeni që aparati i koronarografisë kishte qëndruar tri vite në depon e Mazgitit, i akuzuari Shabani deklaroi se nuk kishte pasur njohuri për këtë gjë.

Tutje ai tregoi se para se t’i nënshkruante marrëveshjet me këto spitale private, personalisht nuk i kishte vizituar, sepse nuk ishte detyrë e tij, por e Inspektoratit Mjekësor dhe Komisioni mjekësor,  dhe se ata  kishin bërë vlerësimin sa i plotësojnë kushtet këto spitale.

Ish-sekretari tregoi se për shërimin e personave në spitalet private shumat deri në 10 mijë euro i kishte nënshkruar vetë, ndërsa shumat mbi 10 mijë euro kishte nënshkruar edhe ministri Agani.

Më pas i akuzuari Shabani tha se klinikat private “IHM” dhe “EDA”, kishin pasur licenca dhe sipas tij ishte bërë edhe verifikimi i tyre.

https://kallxo.com/ish-sekretari-i-msh-se-per-vazhdimin-e-marreveshjeve-me-spitalet-private-pata-pelqimin-e-aganit/

Në rastin ‘Stenta’ të akuzuar janë 44 mjekë dhe 1 infermier të punësuar në institucione publike shëndetësore dhe 13 punonjës ose ish-punonjës të sektorit privat shëndetësor.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale pretendon për një rrjet abuziv të mjekëve.

Procedura ndaj Aganit dhe Shabanit është veçuar me qëllim që gjykata të optimizojë procedurën.

Aktakuza i ngarkon të pandehurit se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik dhe udhëzimet administrative të Ministrisë së Shëndetësisë duke lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore për periudhën 2011 -2015.

Sipas aktakuzës, Ferid Agani dhe Gani Shabani i kanë mundësuar përfitim financiar spitalit privat “IMH” në shumë prej 4,050,958.00 euro dhe spitalit privat “EDA” në shumën prej 504,595.00 euro, apo të dyja spitaleve në shumë të përgjithshme prej 4,555,553.00 euro, duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës.