Ish-punëtorët çojnë në prokurori kallëzimin penal | Foto: Atdhe Mulla

Ish-Punëtorët-Kallëzim Penal ndaj Kryeministrit

Ish-punëtorët e Fabrikës së Tuubave në Ferizaj që u privatizua në vitin 2007 kanë ngritur kallëzim penal ndaj Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe tetë zyrtarëve të tjerë , kryesisht anëtarë të Bordit të Agjencisë Kosovare për Privatizim (AKP).

Më shumë se 30 punëtorë  po vazhdojnë të kërkojnë kompensimin prej 30 milionë eurosh për të cilën ka vendosur edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Vite më parë këta punëtorë kanë protestuar para Gjykatës Komunale të Ferizajt pasi që kjo e fundit nuk kishte ekzekutuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për kompensim të këtyre punëtorëve pas largimit të padrejtë nga puna në vitet ’90.

Vetë ish-Gjykata Komunale e Ferizajt, para Gjykatës Kushtetuese, në vitin 2002 kishte vendosur në favor të kompensimit të punëtorëve të Fabrikës së Tubave me 30 milionë euro.

Në kallëzimin penal të dorëzuar në prokurori sot, Ali Azemi si përfaqësues i ish –punëtorëve e konsideron fajtor për mosrespektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese  Kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa.

Përveç Mustafës, kallëzimi penal i ish-punëtorëve të Fabrikës së Tubave përfshin edhe Petrit Gashin, kryetarin e Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit  dhe anëtarët e Bordit të Drejtorëve të AKP-së: Bajram Zejnuhallun, Skender Komonin, Hamdi Jahën, Haxhi Arifin,  Hasime Mazreku-Krasniqin,  Ranko Gjokiqin dhe Ismajl Jonuzin.

Arsyetimi i kallëzimit penal gjithashtu sheh fajtor të lartcekurit për keqpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtar.

“Mbi bazën e autorizimeve në cilësinë e personave zyrtarë kanë tejkaluar kompetencat e tyre duke mos përmbushur detyrat zyrtare ligjore dhe kushtetuese, me qëllim të përfitimit material për vete apo për tjetrin dhe duke u shkaktuar dëm personave të tjerë- punëtorëve të Fabrikës së Gypave ‘IMK’ në Ferizaj”, thuhet mes tjerash në kallëzim penal.

Ish-punëtorët e kësaj fabrike kishin qëndruar në grevë në një tendë të improvizuar afër ndërtesës së Qeverisë së Kosovës për afro 600 ditë.

http://kallxo.com/shtepia-ne-shesh/

Kjo tendë më pas u mor nga Policia e Kosovës dhe punëtorët protestuan nën qiell të hapur në po të njëjtin vend.

http://kallxo.com/policia-ua-hoqi-tenden-greva-vazhdon-ne-qiell-te-hapur/