Ish-presidenti shqiptar, Bujar Nishani - Foto: Facebook/BujarNishani

Ish presidenti i Shqipërisë e quan fjalor i ‘çartur’ fjalimin e Edi Ramës në Pejë

Ish presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani, e ka quajtur fjalor skandaloz, vulgar dhe i çartur,  fjalimin e kryeministrit Edi Rama, sot gjatë mbledhjes së dy qeverive.

Sipas Nishanit Rama shkoi në Pejë për të shpallur Evropën armike të Kosovës dhe Serbinë si partnere të mundshme strategjike të Shqipërisë.

‘’Ka 5 vjet, që sa herë takohet me autoritetet e Kosovës, sa herë bën mbledhje qeverie deklaron se “do të unifikojmë doganat” Asgjë konkrete në 5 vite. Përsëri të njëjtën deklaratë retorike edhe sot në Pejë. Ajo çka ishte më e rënda, ishte vijimi i tentativave nga Kryeministri i Shqipërisë për të fshehur praktikat destabilizuese të Serbisë ndaj Kosovës dhe gjithë rajonit në tërësi. Kryeministri i Shqipërisë vijon platformën e tij pro serbe e antirajonale që ka inicuar që nga dita e parë e hyrjes së tij në zyrën e Kreut të Qeverisë. Ai vazhdon ta paraqesë Serbinë si një partnere model me Shqipërinë dhe jo aq të mirë me Kosovën. Kjo tezë Ramiste nuk është gjë tjetër veçse një vasalitet i shëmtuar ndaj platformës së hegjemonisë Serbe në Ballkan’’, ka shkruar Nishani.

Sipas tij, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe të gjitha vendet e tjera të rajonit kanë dëshmuar tashmë në mënyrë të konsoliduar se janë për mirëkuptimin, bashkëpunimin, respektin reciprok dhe integrimin Euro-Atlantik dhe se ‘kryeministri i Shqipërisë nuk mundi ta thoshte dot këtë dhe të denonconte manovrat krejt në kah të kundërt të të vetmit vend të këtij rajoni, Serbisë, e cila vijon të mos heq dorë nga tentativa për hegjemoni ndaj të gjithë të tjerëve’.

Nishani akuzoi kryeministrin Rama, se ky i fundit nga Peja, më shumë sulmoi dhe lëshoi fyerje ndaj Bashkimit Evropian se sa denoncoi dhe dënoi qëndrimet ekstremiste dhe hegjemoniste të Serbisë mbi Kosovën e mbi të gjithë rajonin.