FOTO Safet Syla - RTK

Ish pjesëtari i UÇK-së Safet Syla intervistohet për 18 orë nga Prokuroria e Gjykatës Speciale

Safet Syla është intervistuar nga Prokuroria Speciale e Gjykatës Speciale për dy ditë radhazi me nga nëntë orë në ditë, gjithsej 18 orë.

Ai ka thënë sot para gazetarëve se nuk ka qenë i njoftuar se në çfarë cilësie është intervistuar dhe, duke thënë se kryesisht është pyetur për detyrat dhe angazhimin e tij personale gjatë kohës së luftës së fundit, por jo për çështjet konkrete.

Syla tha se nuk ka pasur ftesë me shkrim, por siç tha ai, e kanë marrë në zyrë dhe se është ftuar përmes telefonit.

Ish- pjesëtari i UÇK-së thotë ne jemi në pozitë shumë të palakmueshme sepse këtë ligj të Gjykatës Speciale e ka miratuar Kuvendi i Kosovës.

“Është ky ligj që ka qenë, është një Gjykatë e veçantë në histori të njerëzimit nuk mbahet mend sipas meje që në një shtet të marrin pjesë në një konflikt të formohet një Gjykatë Speciale e cila akuzon njërën palë. Kështu ndodhë vetëm tek ne dhe unë personalisht kam kërkuar prej tyre një shpjegim të tillë, realisht vetëm UÇK-ja në këtë rast dhe shtabi i tyre janë akuzuar pa të drejtë, sepse patën një luftë të pastër çlirimtare edhe sot duhet të hetohen, akuzohen apo të gjykohen për luftën që e kemi bërë”, ka thënë ai, duke shtuar se beson në drejtësi dhe luftën çlirimtare.

Ai ka thëne se nuk ka dorëzuar ndonjë dokumentacion, p.sh. ndonjë ditar, fotografi e gjëra të tilla, sepse siç ka thënë, kanë kaluar 20 vjet nga koha e luftës dhe nuk kanë dokumentacion të tillë.

Syla po ashtu ka deklaruar se Gjykata Speciale është padrejtësi që i është bërë Kosovës, duke thënë se nuk ka gjykatë në botë që merret veç me njërën palë.