Gjykimi për keqpërdorim detyre | Foto: KALLXO.com

Ish-Ofiqari i Akuzuar: Nuk Përfitova nga Vitia, Përveç Ndonjë Mëngjesi

6 të akuzuarit lidhur me vepra penale të keqpërdorimit të detyrës, mashtrimit e falsifikimit të dokumenteve, kanë paraqitur mbrojtjen e tyre në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Duke shfrytëzuar të drejtën ligjore, 5 nga të akuzuarit vendosën që të mbrohen në heshtje, ashtu që të mos merren në pyetje as nga prokuroria, e as nga avokatët e tyre.

Konkretisht, Tefik Vitija, Nazmi Luta, Ersin Bushtra, Ramadan Rukovci dhe Selman Krasniqi shfrytëzuan të drejtën e mbrojtjes në heshtje.

Por, përkundër tyre, ishte i akuzuari Bahtijar Sallahu, i cili dëshiroi që të paraqesë mbrojtjen, kështu duke pranuar t’u përgjigjet pyetjeve të prokurores së çështjes, Merrushe Llugiqit.

Tani më i pensionuari Bahtijar Sallahu deklaroi se ka punuar në Komunën e Prishtinës në cilësinë e ofiqarit.

Ai pohoi ta ketë pasur palë të akuzuarin tjetër, Tefik Vitinë, të cilin tha se e ngjeh qysh 30- 40 vjet më parë.

Për më tepër, ai po ashtu pohoi se ka mundur t’i ketë lëshuar ndonjëherë Tefik Vitisë ndonjë dokument edhe pa autorizim, ndonëse gjithherë është dashur që të posedojë autorizimin.

Mirëpo, përkundër këtyre, ai deklaroi se asnjëherë nuk ka përfituar nga i akuzuari Vitia, duke shtuar “përveç ndonjë mëngjesi që ka paguar”.

I pyetur nga prokurorja Llugiqi se a ka kontaktuar ndonjëherë përmes telefonit me të akuzuarin Vitia, Bahtijar Sallahu u përgjigj me “po”.

Pas kësaj, prokurorja e ballafaqoi atë me disa përgjime të komunikimeve të bëra në mes tij dhe Tefik Vitisë.

“’Babush në 9 jam aty, boma gati’”, citoi prokurorja fjalët e Tefik Vitisë në njërin nga komunikimet e bëra nëpërmjet telefonit me Bahtijar Sallahun.

Mirëpo, Sallahu deklaroi se pasi që ka kaluar një kohë shumë e gjatë, nuk i kujtohet.

Prokurorja më pas tha se Tefik Vitia ka insistuar, derisa Bahtijari i ka thënë “jo, jo”.

Pas kësaj, Bahtijar Sallahu tha në gjykatore se “sigurisht ka pasur shumë palë dhe nuk ka mundur që ta pranojë”.

Më pas, përmbajtja e komunikimit tjetër të cilin e lexoi në gjykatore prokurorja nis me fjalët e Tefik Vitisë drejtuar Bahtijar Sallahut “shumë shok të madh të kom”, derisa Bahtijar Sallahu këtij komunikimi i është përgjigjur me “ni sen s’po guxoj, s’po guxoj, shko te Rexha, hajt se ta kryn”.

Sipas aktakuzës, Selman Krasniqi dhe Bahtijar Sallahu, akuzohen për kohën sa ishin duke punuar në Komunën e Prishtinës në pozitën zyrtarë të gjendjes civile.

Prokuroria ngarkon të njëjtit se kanë shfrytëzuar detyrat dhe autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit për të akuzuarin tjetër, Tefik Vitia, për të cilin prokuroria pretendon se ka bashkëpunuar me Krasniqin e Sallahun me qëllim që t’i sigurojnë dokumente zyrtare, ku këto dokumente janë plotësuar më pas sipas nevojave të klientëve dhe të njëjtit janë përdorur si origjinalë.

Ndërkaq, tre të tjerët, Nazmi Luta, Ersin Bushra dhe Ramadan Rukovci, akuzohen se në bashkëkryerje kanë shërbyer si ndërmjetësues për gjetjen e klientëve për të akuzuarin Tefik Vitia.

Para se të bëhej rikualifikimi i veprës penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës, këta të tre ngarkoheshin vetëm me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Përveç kësaj vepre penale, Bushra ngarkohet edhe për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, për të cilën e ka pranuar fajësinë.

Tefik Vitia, akuzohet për kryerje të veprës penale mashtrim, kurse Selman Krasniqi për falsifikim të dokumenteve, vepër kjo e cila tani më është parashkruar.

Për këtë vepër, Selmani akuzohet se më 6 janar të vitit 2011 ka falsifikuar dhe përpiluar dokumentin zyrtar, Deklaratën e bashkësisë familjare në emër të të akuzuarit tjetër Ersin Bushrës, të lëshuar kinse nga Zyra e Gjendjes Civile në Bashkësinë lokale në Matiqan, të nënshkruar nga ai.

Prokuroria pretendon se pas verifikimit të vërtetësisë së këtij dokumenti, ka dalë që ky dokument nuk është lëshuar nga zyra e lartcekur, por sipas njoftimit të Agjencionit të Regjistrimit Civil (ARC) ka rezultuar se ky dokument nuk ekziston me numër serik në Programin e Gjendjes Civile, por me këtë numër ekziston një person tjetër në komunën e Vushtrrisë, çka nënkupton se dokumenti është falsifikuar nga ana e të akuzuarit Krasniqi.

03,18,2018

Shkrimi është përmirësuar për shkak të një ngatërrese teknike ku emri i avokati Gani Asllani mbrojtës në këtë çështje është vënë tek pjesa e të akuzuarve