Flamuri kinez - Foto: REL/Wikipedia Commons

Ish-nëndrejtori i Inteligjencës në Kinë dënohet me burgim të përjetshëm

Ish-nëndrejtori i Inteligjencës në Kinë, Ma Jian është ndëshkuar me burgim të përjetshëm nën akuzat për korrupsion.

Jian është shpallur fajtor për disa krime duke përfshirë pranim të ryshfetit dhe tregti të brendshme, ka thënë gjykata në qytetin verilindor, Dalian.

Pëveç tjerash atij i është kërkuar të paguajë është 7.26 milionë dollarë si masë ndëshkuese.

Përmes një deklarate, gjykata ka thënë se Ma ka shfrytëzuar pozitën e tij politike për t’i ndihmuar miliarderit Guo Wengui në disa operacione biznesore, ndonëse ky i fundit kërkohet nga autoritetet kineze.

Ma është zyrtari i fundit që ka mbajtur pozitë të lartë dhe i cili është zënë në kuadër të fushatës kundër-korrupsionit, të cilën presidenti kinez, Xi Jinping e ka lansuar pak pasi ka marrë pushtetin më 2012.

Xi është zotuar për të zënë dhe dënuar të gjithë personat e përfshirë në korrupsion, duke thënë se dëshiron ta pastrojë Partinë Komuniste në pushtet nga këto probleme.

Kjo iniciativë i ka dhënë presidentit kinez popullaritet, megjithatë kritikët e tij, duke përfshirë Guon, e kanë cilësuar një hap të tillë si tentim për të eliminuar armiqtë politikë. (REL)