Kryeministri Ramush Haradinaj dhe këshilltarja e re e tij, Albena Reshitaj - Foto: Facebook/RamushHaradinaj

Ish-ministrja Reshitaj emërohet këshilltare e kryeministrit Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka emëruar ish-ministren e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, këshilltare të tij politike.

Sipas Haradinajt, Reshitaj e ka pranuar ofertën e tij.

“Pas lirimit nga detyra e ministres së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, znj. Albena Reshitaj, kam konsideruar se njohuritë dhe përvoja e saj institucionale janë me rëndësi që të vazhdojnë të jenë në shërbim të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në “Facebook”.

“Si Kryeministër i Qeverisë, jam i bindur se kontributi i ish ministres, është më së i nevojshëm, andaj i kam ofruar asaj postin e Këshilltares Politike, ofertë kjo të cilën ministrja e ka pranuar”, ka shtuar kryeministri, duke i uruar punë të mbarë këshilltares së tij të re.

Ish-ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, njoftoi të mërkurën për dorëheqjen e saj nga posti i ministres, zyrtarisht për “arsye personale”.

https://kallxo.com/ministrja-reshitaj-kam-ofruar-doreheqjen/

Këtë dorëheqje e miratoi menjëherë kryeministri Haradinaj.