Ish-ministri Alush Gashi dëshmon në rastin "Medicus" - Foto: KALLXO.com

Ish-Ministri Gashi: Me Ligj Ka Qenë i Ndaluar Transplantimi i Organeve

Ish-ministri i Shëndetësisë Alush Gashi ishte dëshmitar i radhës në gjykimin e mjekëve të klinikës “Medicus”, Lutfi Dervishit e Sokol Hajdinit.

Alush Gashi tha se në kohën kur ai kishte qenë ministër i Shëndetësisë, klinika “Medicus” kishte aplikuar për licencë por që ajo ishte licencuar vetëm për pjesën e shërbimeve kardiokirurgjike ndërsa për ato urologjike tha se një kërkesë e tillë ishte refuzuar pasi që në Kosovë me ligj ka qenë e ndaluar transplantimi i organeve.

Prokurorja e çështjes Valeria Bolici e pyeti ish-ministrin nëse qëndronte prapa deklaratave të dhëna më herët dhe pasi i njëjti deklaroi se ai qëndron prapa atyre deklaratave, atëherë prokurorja tha se deklaratat e dëshmitarit të dhëna më herët janë shumë të qarta dhe se më nuk ka pyetje për dëshmitarin.

Pasi që dëshmitari gjatë dëshmisë së tij të mëhershme kishte thënë se një nga detyrat e tij si ministër i Shëndetësisë kishte qenë licencimi, avokati i Lutfi Dervishit, Valon Hasani kërkoi nga ai të shpjegonte se çfarë lloj licencimesh ishte fjala, për institucion apo për profesionist shëndetësor.

Dëshmitari Gashi tha se kanë ekzistuar tri borde për licencim: një bord për licencimin e institucioneve, një për licencimin e profesionistëve shëndetësorë dhe një bord tjetër i cili ishte kompetent për licencimin e profesionistëve të huaj shëndetësorë për të punuar në institucione shëndetësore në Kosovë. Për këtë të fundit tha se nuk e di saktë nëse kishte qenë bord i veçantë por që atë e kishte drejtuar Hysni Bajrami.

Për bordin për licencim të profesionisteve të huaj tha se ai bord ka pasur për qëllim që kolegët që hapin institucione në Kosovë të mund t’i ftonin kolegët e tyre të huaj që të mund të vinin në Kosovë dhe të punonin në një afat prej 30 ditëve brenda një viti.

Më tutje Alush Gashi shpjegoi se për të themeluar një institucion privat dhe për të ftuar një koleg të huaj që të punonte aty atij institucioni i është dashur që të aplikojë për dy licenca: për licencim të institucionit privat dhe për licencim të profesionistit të huaj.

Dhe nëse një profesionist i huaj licencohej për një institucion të caktuar i njëjti nuk mund të punonte në ndonjë institucion tjetër.

I pyetur nga avokati Valon Hasani se kur kishte qenë hera e parë që kishte dëgjuar për klinikën “Medicus”, Alush Gashi tha se në kohën kur ai ishte ministër për klinikën si institucion privat kishte dëgjuar në momentin e aplikimit për licencë por tha se kërkesa e “Medicus”-it nuk kishte arritur në tavolinën e ministrit pasi që sipas tij paraprakisht janë disa faza të aplikimit.

Sipas dëshmitarit që një institucion të licencohet ai kalon nëpër fazën e aplikimit pastaj në komisionin për vlerësimin e objektit dhe pajisjeve dhe nëse e kalon këtë komision atëherë shkon te bordi i profesionistëve, të cilët e marrin vendimin dhe në fund e dërgojnë te ministri për verifikim.

“Kërkesa e “Medicus”-it nuk e ka arritur tavolinën e ministrit, ka qenë një kërkesë me dy shërbime të cilën komisioni për vlerësim të objektit nuk ka dalë as me e pa dhe është vendosur që t’i rekomandohet aplikuesit që t’i ndajë shërbimet. Kështu që ka ardhur një aplikim për kardiokirurgji dhe ka marrë përgjigje pozitive ndërsa për kërkesën tjetër për urologji nuk e ka arritur nivelin as te bordi as te kabineti i Ministrisë” deklaroi ministri i asaj kohe Alush Gashi.

Arsyeja se pse nuk ishte licencuar klinika “Medicus” për të kryer shërbime urologjike tha të ketë qenë për shkak të Ligjit të shëndetësisë në fuqi në Kosovë, i cili nuk e lejonte transplantimin  e organeve.

I pyetur nga avokati Valon Hasani nëse në atë kohë ishte licencuar ndonjë institucion tjetër për të kryer ndërhyrje urologjike, dëshmitari tha se ai nuk është në dijeni për një gjë të tillë por që kjo mund të verifikohej shumë lehtë pasi që të gjitha listat janë të publikuara online.

Më pas avokati Valon Hasani dëshmitarit i paraqiti tre dokumente një pas një.

Dokumenti i parë ishte i lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë me datën 9 Janar 2008, i nënshkruar nga Hysni Bajrami dhe Alush Gashi, i cili kishte të bënte me licencimin e dy mjekëve të huaj.

Me anë të këtij vendimi dëshmitari tha se është kërkuar licencimi i një kirurgu dhe kardiokirurgu dhe se bordi në arsyetim kishte thënë se plotësohen kushtet përveç kriterit të licencimit të institucionit shëndetësor andaj komisioni kishte dhënë afat që ky dokument për licencim të përdorej deri me 31 mars 2008 dhe nëse deri me atë datë nuk licencohej spitali atëherë ai dokument nuk do të ishte më valid dhe ata do të duhej që të bëjnë një kërkesë tjetër për licencim të profesionistëve.

Këta dy profesionistë të cilit ishin licencuar a kanë mundur që të punojnë në ndonjë institucion tjetër e pyeti dëshmitarin avokati Hasani.

“Vendimi është dhënë në mënyrë specifike për institucionet që duhet të licencohen, pasi që thotë se pa licencim të institucionit nuk ka punë dhe nëse deri me 31 mars do të licencohej institucioni ky licencim do vlente, ndërsa nëse nuk licencohet deri me 31 mars atëherë duhet të bëhet kërkesë tjetër” deklaroi dëshmitari.

Dokumenti i dytë ishte i datës 22 gusht 2008, përgjigje drejtuar klinikës “Medicus”, dokument i lëshuar nga sekretari permanent i ministrisë Ilir Rrecaj dhe në të cilin kishte qenë i përfshirë edhe Alush Gashi.

Sipas avokatit Hasani në këtë email kishte qenë e bashkangjitur edhe një shtojcë.

“Në atë shtojcë thuhet se ekziston mundësia e licencimit të institucionit për transplantim të veshkave, meqë ju e keni parë se sekretari juaj permanent e ka pasur në plan që të bëjë ndryshimin e udhëzimit administrativ me të cilin do të lejohej transplantimi i veshkave si është e mundur që ju pasi që e dinit që ligji nuk e lejon një gjë të tillë, nuk keni reaguar” e pyeti ish-ministrin avokati.

Ndërsa dëshmitari tha se të gjithë brenda Ministrisë dhe po ashtu shtetit kanë të drejtë për të iniciuar ndryshimin e një ligji dhe se për të bërë një ndryshim në ligj ose në aktet nënligjore duhet të formohet ekipi i ekspertëve dhe se ai kupton që Ilir Recaj ka dashur që të jap kontributin e tij, por që sipas ministrit të atëhershëm kjo ka qenë jashtë agjendës për vitin 2008-2009.

“Unë sinqerisht kam qenë kurioz dhe shumë i nervozuar me atë se pse kam qenë i përfshirë në email, edhe njëherë se nuk ka qenë në përputhje me agjendën e vitit 2008-2009 që ta ndryshoj Ligjin mbi Shëndetësinë” u përgjigj dëshmitari.

Ndërsa dokumenti i fundit i cili iu prezantua dëshmitarit ishte i datës 12 maj 2008 i cili ishte i lëshuar nga Ilir Rrecaj në cilësinë e kryesuesit të bordit për licencimin e institucionit dhe në cilësinë e ushtruesit të detyrës së sekretarit permanent.

“Tema është konfirmimi i licencimit për ndërhyrjet urologjike, kur për herë të parë e keni parë këtë dokument?” e pyeti dëshmitarin avokati Hasani.
“Ditën e parë pas arrestimeve të bëra në aeroport diku në nëntor 2008, nëse nuk gaboj ka qenë 5 nëntor 2008, lidhur me këtë çështje ne para disa viteve kemi diskutuar në gjykatë”, u përgjigj dëshmitari Gashi.

Për dokumentin tha se ditën e nesërme e kishte njoftuar kryeinspektori dhe pas kësaj ai e kishte informuar se kjo nuk ishte licencë por kishte të bënte me një komunikim i cili nuk e ka as formën e as përmbajtjen e një licence.

Dëshmitar tjetër Agron Kasumi tha se qëndron në tërësi pranë deklaratave të tij të dhëna më herët.

Ai tha se kishte qenë anëtar i bordit për licencimin e institucioneve dhe se si veprimtari e institucioneve private që janë licencuar në mes viteve 2005-2008 ka qenë e lejuar që të bëjnë edhe ndërhyrje kirurgjike.

Atij nga avokati Hasani iu prezantua udhëzimi administrativ i cili kishte të bënte me licencimin e institucioneve, për të cilin dëshmitari tha se përderisa ai kishte qenë duke punuar aty ky udhëzim kishte qenë në përpilim e sipër dhe për të njëjtin nuk e di nëse është aprovuar.

Dëshmitari Kasumi po ashtu tha se përderisa ai kishte qenë duke punuar aty nuk i kujtohet të kenë lëshuar ndonjë licencë për spitale private ndërsa edhe për ato publike tha se nuk kanë lëshuar ndonjë licencim pasi që nuk kanë pasur kompetenca për një gjë të tillë dhe se nuk e di as sot nëse spitalet publike licencohen.

Lutfi Dervishi që ishte pronar i Klinikës “Medicus” në të cilën nga prokuroria po pretendohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor.

Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.

Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet.

Gjykata e Apelit më pas ia kishte vërtetuar dënimin Dervishit, ndërsa Hajdinit ia kishte shtuar vitet e dënimit me burg nga 3 vjet në 5.