Beqiri dhe Haraqija në gjykatë | Foto: KALLXO.com

Ish- Ministrat e Kulturës në Seancë në Gjykatë të Apelit

Dy ish ministrat e kulturës në qeverinë e Kosovës, Astrit Haraqija dhe Valton Beqiri, kanë dalë sot para panelit të Gjykatës së Apelit për rishqyrtim të aktvendimit ndaj tyre nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Në seancë po mungon Nehat Fejza, njëri nga dy producentët e akuzuar bashke dy ministrat, ndërsa producenti tjetër Armond Morina ndodhet në gjykatë.

Më 7 mars të këtij viti, prokurori i rastit është ankuar ndaj vendimeve të gjykatës e cila dy ministrat i kishte dënuar me nga 10 muaj burg me kusht, Armond Morinën me 6 muaj burg efektiv, ndërsa Nehat Fejzën e kishte liruar nga akuzat.

Prokuroria është ankuar për shkak të “vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe për shkak të vendimit lidhur me sanksionin penal”.

Haraqija e Beqiri akuzoheshin për shpërdorim detyre, ndërsa Morina e Fejza për mashtrim në detyrë.

haraqija e beqiri

Haraqija që drejtoi Ministrinë e Kulturës në vitet 2004-2007, më 27 shkurt 2006 kishte nënshkruar kontratë me Nehat Fejzën, pronar i kompanisë “Concordia Pictures”, në vlerë prej 220,000 eurosh.

Ky ministër, më 30 janar 2007, nënshkroi një kontratë tjetër me Armond Morinën, pronar i kompanisë “Morina Films”, në vlerë prej 350,000 eurosh.

haraqijabeqiri

Kontratat lidheshin me filmat “Ndjekja e Larës” dhe “Mysafir në sofër”. Producent i të parit ishte Nehat Fejza, ndërsa i të dytit Armond Morina.

Valton Beqiri që drejtoi Ministrinë e Kulturës nga 2008-ta deri në 2010-ën, kishte nënshkruar aneks kontratën me “Morina Films”, duke transferuar 100 000 euro si subvencione për realizimin e filmit “Mysafir në Sofër”.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, ministria nënshkroi kontrata për këta filma në vlerën e 570,000 eurove në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik dhe atë për Kinematografinë.

Aktakuza kundër dy ish-ministrave dhe dy producentëve u ngrit në prill të vitit 2012, ndërsa gjykimi i tyre nisi në marsin e 2014-ës.

http://kallxo.com/prokuroria-ankese-per-rastin-e-ish-ministrave-te-kultures/

http://kallxo.com/denime-me-kusht-per-ish-ministrat-e-kultures/