FOTO: Broshura, TC Kosova e Re, MZHE 2017

Ish-Menaxheri i ‘Kosovës së Re’ punësohet në 'Contour Global'

Liridon Mavriqi ka qenë për dy vjet menaxher i projektit ‘Kosova e Re’, ndërsa tash ka filluar punën në kompaninë ‘Contour Global’. Nga viti 2013 deri në vitin 2015, Mavriqi ka qenë njeriu kryesor i projektit për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’. Mavriqi para se ta merrte timonin e projektit ‘Kosova e Re’ ka qenë këshilltar i ministrit të zhvillimit ekonomik, Besim Beqaj. Pra, ka pasur pozitë politike në të njëjtën ministri që e kishte angazhuar përmes tenderit.

Ai ishte angazhuar përmes procesit të prokurimit nga MZHE-ja si menaxher i projektit. Në njoftimin për kontratë për angazhimin e Mavriqit nuk janë dhënë detaje të obligimeve të tij. Gjatë kësaj kohe, projekti kishte pësuar ndryshimet kryesore, duke e hequr nga projekti ‘Kosovën B’ dhe Mihjen si dhe duke e ndërruar mënyrën e ofertimit.

Pas këtyre ndryshimeve, disa nga kompanitë e para-kualifikuara ishin tërheq nga gara, ndërsa qeveria e kishte vazhduar projektin me vetëm një kompani të interesuar, Contour Global. Kjo e fundit, si ofertues i vetëm ishte shpallur fituese e projektit e më vonë edhe e kishte nënshkruar kontratën me qeverinë e Kosovës.

Mavriqi ishte larguar nga projekti Kosova e re në vitin 2015, pas pranimit të ofertave dhe pas shpalljes së kompanisë Contour Global fituese të këtij projektit. Mavriqi tash është punëtor i kompanisë amerikane.

Mavriqi ishte pjesë e projektit edhe në vitin 2014, kur kompania Contour Global nuk kishte ofertuar fare në ditën e caktuar për pranim të ofertave. Komiteti Drejtues i projektit i udhëhequr nga ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli i kishin dhënë më shumë kohë kompanisë amerikane, pasi ajo ishte e vetmja e interesuar në projekt. MZHE-ja kishte deklaruar se shtyrja e afatit ishte bërë me kërkesë të investitorëve.

“Komiteti Drejtues i Projektit (KDP) i Termocentralit “Kosova e Re”, i udhëhequr nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, përmes këshilltarëve të transaksionit ka njoftuar ofertuesit e para-kualifikuar për shtyrjen e afatit për dorëzim të ofertave dhe zgjedhjes së investitorit për fazën e parë të projektit deri në 3 muaj”, thuhej në komunikatën e MZHE-së, e lëshuar me 15 shtator 2014.

Qeveria ishte ndërruar në fund të vitit 2014. Në takimin e parë të Komitetit Drejtues të Projektit “Kosova e Re”, me 19 dhjetor, ishte bërë pranimi i ofertës së vetme të kompanisë “Contour Global” për këtë projekt.

Pas pranimit të vetëm një oferte, Mavriqi në cilësinë e menaxherit të projektit kishte thënë se kjo nuk ishte në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, pasi i njëjti po procedohej në bazë të rregullave të Bankës Botërore.

“Zhvillimi i projektit dhe procedurat tenderuese për projektin, zhvillohen sipas procedurave të prokurimit të Bankës Botërore, të cilat i ka adaptuar KDP-ja për nevoja të këtij projekti… Mbi këtë bazë, vlerësimi i ofertës do të bëhet në bazë të kritereve të përcaktuara në rregullat e prokurimit të Bankës Botërore”, kishte thënë Mavriqi, menaxheri i Njësisë për Projektin “Kosova e Re”.

Gazeta JnK është në pritje të përgjigjeve nga kompania ‘Contour Global’ dhe nga vetë Liridon Mavriqi, pyetje të cilat i ka procedura në fillim të ditës. Gjithashtu, për këtë punësim është pyetur edhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik.