Foto arkivi nga një gjykim i mëhershëm i Hysni Hoxhës | Foto: KALLXO.com

Ish- Menaxheri Dëshmon në Gjyqin e Hysni Hoxhës

Dëfrim Morina ish-inxhinieri menaxhues i punishteve në kompaninë “Beni Construction” ishte dëshmitar në gjykimin e ish-kryetarit të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik, Hysni Hoxha, ish-zyrtarit të OShP-së Hysni Muhadri dhe kontabilistit në “Conex Group” Arsim Robelli.

Hoxha e Muhadri akuzohen se me dashje direkte i ndihmuan kompanisë “Conex Group” të fitojë tenderin e Ndërmarrjes Publike Banesore “Ndërtimi i Lokaleve Afariste në Qytezën Pejton”, ndërsa nuk shqyrtuan ankesat e dy kompanive në lidhje me këtë tender.

Dëshmitari Afrim Morina tregoi se ishte i angazhuar në tenderin për të cilin akuzohen Hoxha e Muhadri, ndërsa bëri të ditur se gjithashtu përfaqësoi konzorciumin “Beni Construction” dhe “Jaha Company” në ankesën e tyre në OShP.

Ai shpjegoi në gjykatë se pse u ankuan në Organin Shqyrtues të Prokurimit kompanitë që përfaqësonte.

“Ankesa e jonë në OShP është lidhur me kriterin bazë të tenderit, ku kompania ‘Conex Group’ nuk e kishte numrin e njëjtë të punëtorëve që e kishte deklaruar në  ofertën e tenderit me atë që e kishte prezantuar në ATK dhe për këtë arsye kemi bërë ankesë,” tha dëshmitari Dëfrim Morina.

Hoxha e Muhadri akuzohen gjithashtu se gjatë shqyrtimit të ankesës së konzorciumit të përbërë nga “Beni Construction” dhe “Jaha Company” fshehën provat e siguruara prej ATK-së prej dy anëtarëve tjerë të komisionit duke i mashtruar ata që të sjellin vendim refuzues për këtë ankesë.

Në seancë dëshmitari Morina tha se panelin e shqyrtimit tyë ankesës së konzorciumit e udhëhoqi Hysni Hoxha, ndërsa i pranishëm ishte edhe Hysni Muhadri.

“Herë pas here kryetari i panelit më ka thënë se e kuptuam ankesën tuaj dhe nuk ka nevojë te përsëriten pretendimet tuaja,” tha dëshmitari.

Përveç këtyre fjalëve të Hysni Hoxhës, dëshmitari tha se nuk ka pasur ndonjë presion gjatë shqyrtimit të ankesës.

Dëfrim Morina deklaroi se konzorciumi që ankua ishte shumë i pakënaqur që iu refuzua ankesa dhe që OShP-ja rekomandoi kompaninë “Conex Group” për lidhje të kontratës.

Dëshmitari nuk diti të tregojë se sa ka qenë më i lirë operatori fitues në raport me konzorciumin që ai përfaqësonte, ndërsa gjithashtu nuk iu kujtua se lista ku ishin renditur operatorët ekonomikë për këtë tender ishte në formë tabelare, apo në ndonjë formë tjetër.

Hoxha e Muhadri akuzohen se i sollën dobi pasurore kompanisë “Conex Group” në vlerën 1.779.759,54 euro.

Në këtë proces gjyqësor përveç Hoxhës e Muhadrit është i akuzuar edhe kontabilisti në “Conex Group” Arsim Robelli që ngarkohet për falsifikim të dokumenteve, mashtrim dhe deklarim të rremë nën betim.

Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Veton Fetahu pronari i kompanisë “Conex Group” që ngarkohej për të njëjtat vepra si Robelli, por ai e ka pranuar fajësinë dhe procedura ndaj tij është veçuar.

Veton Fetahu më 10 mars 2015 kishte arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me prokurorin dhe në këtë marrëveshje ishin dakorduar që për veprat për të cilat akuzohet të dënohet me 6 muaj burg efektiv dhe 16.000 euro.