Fatmir Limaj | Foto: "Drejtësia në Kosovë"

Ish-Kryetari i Ferizajt Dëshmoi në Gjykimin e Limajt

Në gjykimin e Fatmir Limajt dhe të tjerëve në rastin e njohur si MTPT sot ka dëshmuar ish-kryetari i Komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemajli.

Dëshmitari Xhemajli u pyet nga prokurori i çështjes, Charles Hardaway, rreth një komunikimi në mes të Ali Aliut dhe Shpëtim Telakut i zhvilluar më 9 shkurt të vitit 2008.

Sipas Prokurorisë, në atë atë telekomunikim, Shpëtim Telaku i kishte thënë Ali Aliut: “Por ai ka qenë një ditë me Bajrushin dhe më heret Ali Aliu ka thënë se betohem në zot se ka qenë në zyre”.

Pastaj prokurori e pyeti dëshmitarin se a ka shkuar ai në zyret e MTPT-së me këdo qoftë për punë të kompanisë “Ekskavatori”.

Por ish-kryetari i Ferizajit tha se nuk e mban mend të ketë qenë me ndokënd për këtë punë.

Sipas prokurorit dëshmitari më herët kishte deklaruar se kishte shkuar disa herë në MTPT për të diskutuar me Fatmir Limajn andaj e pyeti nëse e kishte takuar ndonjëhere Shpëtim Telakun.

“Ju keni deklaruar se keni shkuar në MTPT disa herë për të diskutuar në lidhje me Fatmir Limajn. Gjatë këtyre rasteve a keni pasur mundesi ta shihni Shpëtim Telakun”, pyeti prokurori.

Dëshmitari u përgjigj se nuk e mban mend por mund ta ketë parë.

Edhe kur u pyet nga prokurori se nëse në vitin 2008 në Ferizaj ishte takuar ndonjëherë me Ali Aliun për të biseduar në lidhje me mirëmbajtjen e rrugëve, Bajrush Xhemajli u përgjigj se nuk di dhe se nuk e njeh Ali Aliun.

Më pas prokurori i paraqiti dëshmitarit edhe një telekomunikim tjetër në të cilin Ali Aliu kishte deklaruar se ishte fjalosur me kryetarin e Ferizajit për një orë e 20 minuta.

“A të kujtohet nëse ndonjëherë ke pasur ndonjë fjalosje me Ali Aliun sa i përket tenderëve të rrugeve?”, pyeti prokurori.

Kurse dëshmitari Bajrush Xhemajli tha se sipas tij Ali Aliu në atë bisedë i referohej kryetarit tjetër Adem Salihaj.

“Sinqerisht nuk e njoh Ali Aliun. Sa i përket kësaj deklarate s’e di nëse m’u ka referuar mua apo ndonjë kryetari tjetër, më poshtë po përmendet Adem Salihaj ndoshta po i referohet atij e jo mua”, tha ish-kryetari i Ferizajt.

Bajrush Xhemajli po ashtu u pyet nëse kishte diskutuar ndonjëherë me Fatmir Limajn në MTPT në lidhje me një projekt për një hekurudhë nëntokësore, e ai u përgjigj se me Limajn kishte diskutuar disa herë në lidhje me disa projekte, kurse mohoi të ketë marrë pjesë në një takim të pandehurin për të diskutuar për ndërtimin e rrugës për Carralevë.

Avokatët e të akuzuarve e as trupi gjykues nuk patën asnjë pyetje për deshmitarin.

http://kallxo.com/emri-adem-salihajt-permendet-ne-gjykimin-e-limajt/

Në këtë gjykim, Fatmir Limaj akuzohet për krim të organizuar dhe shpërdorim detyre.

Në procesin e njëjtë me Limajn dhe për akuza të njëjta me të nga Prokuroria Speciale e Kosovës ngarkohen edhe Nexhat Krasniqi e Endrit Shala. Pjesë e gjykimit janë edhe Shpëtim Telaku dhe Florim Zuka.

Akuza ndaj Limajt lidhet me tenderët për mirëmbajtjen e rrugëve në komunën e Gjilanit.

Limaj këtë aktakuzë, që nga EULEX-i quhet e konsoliduar pasi në të janë bashkuar rastet MTPT 1 dhe MTPT 2, më 30 tetor të vitit 2015 e cilësoi të ngritur me urdhër politik.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor. Raportet mund t’i lexoni këtu.