Gjykimi ndaj ish krerëve të Telekomit të Kosovës - 21.03.2019 - FOTO KALLXO

Ish krerët e 'Telekomit' deklarohen rreth fajësisë për rastin 'Vala - Z Mobile'

Ish kryetari i bordit të Telekomit, Rexhë Gjonbalaj dhe dy ish kryeshefët e kësaj kompanie publike Agron Mustafa e Ejup Qerimi, janë deklaruar të pafajshëm para Gjykatës.

Në seancën e sotme, përfaqësuesit e “Z – Mobile” janë deklaruar se heqin dorë nga kërkesa pasurore-juridike në gjykimin ndaj ish krerëve të Telekomit të Kosovës.

Përfaqësuesi i Blerim Devollit, avokati Driton Musliu tha se: “Heqim dorë nga kërkesa pasurore juridike me qenë se ajo është realizuar në një procedure tjetër juridike pranë arbitrazhit”.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, i pandehuri Ejup Qerimit gjatë periudhës kohore shkurt 2012 tetor 2014, duke shfrytëzuar detyrën, respektivisht autoritetin zyrtar nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojë dëme materiale dikujt tjetër. Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale, “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ndërkaq, i pandehuri Agron Mustafa nga data 19.02.2015, kur ka marrë pozitën udhëheqëse e deri në momentin kur më datë 24.05.2017, kur ky i pandehur edhe pse nuk ka qenë kompetent kishte lidhur marrëveshjen për ekzekutimin e vendimit final, i pandehuri Agron Mustafa duke shfrytëzuar detyrën, respektivisht autoritetin zyrtar nuk ka përmbushur detyrat e tija zyrtare, me qëllim që të i shkaktoj dëme materiale një kompanie tjetër. Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale, “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Poashtu, në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, theksohet se i pandehuri i tretë Rexhë Gjonbalaj duke shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare nuk ka përmbushur detyrën e tij zyrtare me qëllim që të i shkaktoj dëme materiale dikujt tjetër. Me këto veprime i pandehuri Rexhë Gjonbalaj ka kryer veprën penale, “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Aktakuza ka të bëjë me veprimet që i paraprinë vendimit të gjykatës dhe pastaj kontestit në arbitrazh, e të cilat u përmbyllën me marrëveshjen në mes të Z-mobile dhe Valës.

Agron Mustafa dhe Ejup Qerimi, në kohë të ndryshme, kanë mbajtur pozitën e kryeshefit të Telekomit. Ndërsa, Rexhë Gjonbalaj ka qenë kryetar i bordit të Telekomit të Kosovës.

KALLXO.com raportoi në shkurt të këtij viti që Gjykata e Apelit kishte vendosur që ta përmbysë vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, duke i dërguar në gjykim tre të akuzuarit në rastin e Telekomit.

KALLXO.com mësoi se Gjykata e Apelit e kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale ndaj aktvendimit të Gjykatës Themelore të marrë në dhjetor të vitit të kaluar.

 

https://kallxo.com/apeli-i-kthen-ne-gjyq-ish-drejtuesit-e-telekomit/

Me 27 shtator të vitit të kaluar, të gjithë të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat të cilat u viheshin në barë.

Aktakuzën ka qenë duke e përfaqësuar prokurori Special Florie Shamolli, ndërsa rasti është gjykuar nga gjykatësi Lutfi Shala.

Më 24 maj të vitit 2017, Telekomi i Kosovës dhe Dardafon (Z-Mobile) kishin arritur marrëveshje për përmbylljen e vendimit të arbitrazhit rreth kontratës për operator virtual të telefonisë mobile.

Vendimi ishte paraqitur si një triumf për kompaninë pasi e lironte Telekomin nga obligimi i pagesës prej 30 milionë eurove për kompaninë Z Mobile.

Në vitin 2016 gjykata e arbitrazhit kishte vendosur në favor të kompanisë Z Mobile në kontestin me Telekomin. Vendimi krijonte obligime për të kompensuar një dëm prej 30 milionë euro.

Menjëherë pas vendimit, pushtetarët dhe njerëzit e drejtësisë kishin reaguar duke kërkuar hetime dhe përgjegjësi për këtë humbje.

Gjakrat ishin qetësuar disa muaj më vonë kur Telekomi dhe Z Mobile u dakorduan që vendimi për pagesën e 30 milionë eurove të mos zbatohej.