Ish-Kazerma Ushtarake Shndërrohet në Kampus Universitar

Në Gjakovë ka filluar pastrimi i hapësirës ku ka qenë kazerma e armatës jugosllave, një pjesë e të cilës pas luftës së viteve 1998/99 përdorej si deponi e mbetjeve inerte dhe pjesa tjetër si treg i gjelbër.

Në këtë zonë do të ndërtohet kampusi i ri universitar.

Rektori i Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”, Shaban Buza, tregon për procedurën e tenderëve dhe për shumën e ndarë për hartimin e projektit dhe pastrimin e zonës.

“Në korrik janë kry dy procedura, dy tenderë të cilët i ka udhëheqë MASHT-i apo Ministria për shkak se Universiteti i Gjakovës nuk ka pasur kapacitete dhe brenda MASHT-it janë udhëheqë procedurat dhe kanë përfunduar dy tenderët. Tenderi i parë që ka pasë të bëjë me hartimin e projektit të ndërtimit të kampusit dhe i dyti për përgatitjen e terrenit përkatës për ndërtimin e kampusit dhe janë ndarë mjetet dikund 390 mijë për të dyjat”, tha rektori Buza.

Po ashtu, rektori Buza tregon se pasi kishin filluar punimet dhe ishin zotuar mjetet për kontraktorët, në gusht të këtij viti Universiteti është njoftuar për shkurtim të buxhetit.

“Fatkeqësisht në fund të gushtit ne jemi lajmëru pas rishiqimit të buxhetit neve si Universitet i Gjakovës na janë tërhjekë dikund 310 mijë euro prej kapitaleve, do të thotë i kemi pasë krejt 500 mijë, që do të thotë është bërë shkurtim dhe nuk ka mjete që këtë vit të paguhen dy kompanitë sipas dinamikës, njëra i ka 137 mijë, tjetra i ka 245 mijë. Zotimet janë ba, buxheti është shkurtu”, theksoi Buza.

Ndërsa, Komuna e Gjakovës ka filluar punët për largimin e Tregut të Gjelbër nga ajo pjesë.

Zyrtarja për informim, Abetare Domi tha se Komuna është duke kërkuar që në kuadër të partneritetit publiko-privat të sigurojë një lokacion të përshtatshëm për treg.

“Komuna e Gjakovës e ka bërë shpalljen publike për oferta për hapësirën dhe menaxhimin e tregut të qytetit. Në këtë proces ka ofertuar një aplikues. Komuna, përkatësisht Drejtoria e Urbanizmit, është në proces të shqyrtimit dhe aprovimit të mundshëm të aplikacionit. Oferta është e vlefshme edhe pse ka konkurruar vetëm një subjekt”, tha Domi.

Punimet në këtë kampus do të vazhdojnë me buxhetin e vitit të ardhshëm, i cili do të jetë i ngjashëm me atë të këtij viti, theksoi rektori Buza.