Gjykimi i ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Ish-Inspektorja: Unë Nxirrja Vendime për Rrënim, Ndërtuesit Pajiseshin me Leje Ndërtimi

Në shqyrtimin gjyqësor ndaj ish-inspektorëve të ndërtimit të Komunës së Prishtinës sot mbrojtja mori në pyetje të akuzuarën Blerina Syla.

Mbrojtja e të akuzuarës e pyeti atë lidhur me periudhën për të cilën ajo akuzohet se me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, me dashje nuk e ka përmbushur detyrën e saj zyrtare, duke mos parandaluar dhe ndërprerë ndërtimet kundërligjore.

Në fillim e akuzuara shpjegoi funksionin e saj si inspektore e ndërtimit dhe përgjegjësitë që kishte në atë periudhë. Sipas saj, prej vitit 2010 deri në vitin 2014 ka ushtruar funksionin e inspektores së ndërtimit.

Ndërkaq në pyetjen e avokatit mbrojtës Skender Musa lidhur me procesin e nxjerrjes së vendimeve për rrënim, e akuzuara deklaroi se ishte përgjegjësi e saj të inspektonte ndërtimet nëse kishin leje apo kishin tejkaluar lejet e ndërtimit.

“Çdo vendim, qoftë rrënim apo ndërprerje e punimeve e kemi shtypë të zyrtarja administrative Miradie Rrustemi, e cila e ka evidentuar vendimin në evidencën e lëndëve”, deklaroi e akuzuara Blerina Syla.

Tutje, ajo deklaroi se pas shtypjes së vendimit, një kopje të vendimit e ka ndalë në zyre shefi i sektorit Ismet Haliti, i cili e ka pasur për obligim të marrë një kopje në mënyrë që të procedojë më tej me organizimin e procedurës së rrënimit.

Mbrojtja kërkoi nga e akuzuara të deklarohet rreth ndërtimeve që janë pjesë e akuzës të investitorëve “NTSH Export-Import Nazi dhe Hysi Group” (Lakrishtë), “OTI Com” (Kalabri), Naser Gashi (Veternik) dhe “NTN Tregtia” (Lagjja Arbëria). Për këto ndërtime, e akuzuara Syla deklaroi se nuk ishte inspektore përgjegjëse dhe se vetëm në disa raste kishte zëvendësuar inspektorët përgjegjës për këto ndërtesa.

Ndërkaq, lidhur me ndërtimet e investitorëve, që janë pjesë e aktakuzës, “VG Construction”, “Lirimi ACL”, “Nderimi”, “Premium Construction”, “Mabetex” dhe “Euro Albi”, e akuzuara deklaroi se kishte ndërmarrë të gjitha veprimet.

“Për të gjitha këto ndërtime, unë kam ndërmarrë të gjitha veprimet, deri në nxjerrjen e vendimeve për rrënim”, deklaroi para gjykatës e akuzuara Blerina Syla. Më tej, ajo shtoi se pas nxjerrjes së vendimeve për rrënim, të gjithë këta investitorë ishin pajisur më pas me leje ndërtimi nga Drejtoria e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.

Pas kësaj deklarate, avokati mbrojtës Skender Musa pyeti të Blerina Sylën nëse dinte për ndonjë marrëveshje mes Drejtorisë së Ndërtimit dhe Drejtorisë së Urbanizmit për të nxjerrë vendime për rrënime dhe më pas për të nj[jtat të lëshohen leje të ndërtimit.

E akuzuara u përgjigj duke thënë se nuk kishte njohuri për ndonjë marrëveshje ngase nuk ishte detyrë e saj të interesohej për një gjë të tillë.

Në fund, e akuzuara u pyet lidhur me ndërtesat e investitorit “Pozhegu Brothers” dhe veprimet që e akuzuara kishte ndërmarrë në këtë rast.

Blerina Syla deklaroi se kur kishte marrë vesh se leja e ndërtimit të “Pozhegu Brothers” ishte e ndërhyrë, kishte takuar drejtorin Xhelal Sveqla për t’i raportuar për këtë rast.

“Kam raportuar te drejtori Xhelal Sveqla dhe kam kërkuar që rastin ta paraqesë në polici, mirëpo drejtori ka kërkuar që të veprohet në mënyrë institucionale dhe jo në mënyrë private”, tha Blerina Syla kur u pyet lidhur me raportimin e rastit.

Seanca e radhës do të mbahet në muajin dhjetor.

Të gjithë të akuzuarit në këtë proces janë deklaruar të pafajshëm për akuzat e prokurorisë.

Të akuzuar në këtë proces gjyqësor janë Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi.

Sipas aktakuzës, kryeinspektori Ismet Haliti dhe të akuzuarit Skender Canolli, Vehbi Abdullahu, Drita Rukiqi, Blerina Syla, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala dhe Granit Cenaj në cilësinë e personave zyrtarë në Drejtorinë e Inspeksionit të Ndërtimit në Komunën e Prishtinës, në periudhën kohore Janar 2010 – Mars 2014, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, me dashje nuk e kanë përmbushur detyrën e tyre zyrtare, ashtu që nuk i kanë parandaluar dhe nuk i kanë ndërprerë ndërtimet kundërligjore.

Prokuroria po ashtu pretendon se të akuzuarit nuk i kanë ekzekutuar vendimet për rrënimin  e objekteve që ndërtoheshin në mënyrë kundërligjore në territorin e Komunës së Prishtinës, duke vepruar si grup kriminal i cili e ka shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare për kryerjen e veprave penale.