Foto; Adrian Berisha/Facebook

Ish-drejtori zbulon sekretin, hidhërohet komuna e Prishtinës

Lajmi i dhënë nga ish- drejtori i Kulturës së Komunës së Prishtinës, Yll Rugova, se kryeqytetit kosovar është përzgjedhur për organizimin e bienales evropiane të artit “Manifesta” në vitin 2022, nuk është pritur mirë nga Komuna e Prishtinës dhe ekipi punues i caktuar për koordinimin e punëve për Manifestën.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Adrian Berisha, pjesë e ekipit koordinues dhe asamblist në Komunën e Prishtinës nga radhët e PSD-së, zbulon se komuna e Prishtinës është në dijeni rreth lajmit se Prishtina është përzgjedhur për organizimin e anifestës në 2022, por nuk e ka bërë publik.

Asamblisti Berisha bënë të ditur se drejtoresha e “Manifestës” Hedwig Fijen ka vizituar Prishtinës në mars, por asgjë nuk është bërë publike nga ky proces, siç konstaton ai, me kërkesë të drejtoreshës Fijen.

Ai ka postuar disa foto dhe nga takimi i Fijen me kryetarin e Prishtinës Shpend Ahmeti dhe ekipin punues për Manifestën.

Duk e konsideruar njoftimin e bërë për Manifestën si njoftim politik e të parakohshëm, Berisha potencon se është e dhimbshme te shohësh se si projektet si Manifesta “individualizohen dhe politizohen”.

“Duke treguar maturi dhe në koordinim me ekipin tonë të brendshëm të Drejtorisë për Kulturë, duke dashur që çdo gjë të shkojë në mënyrën më të mirë të mundshme ne nuk kemi bërë asnjë njoftim në lidhje me këtë proces, për arsye se në njërin nga emailat që i kemi shkëmbyer me znj. Hedwig Fijen, ajo na u drejtua në këtë mënyrë: ‘Para nënshkrimit formal të Protokolit, ne do të dëshironim që selektimin ta mbajmë konfidencial’, potencuar Berisha.

Foto: Facebook

Berisha i kujtuar po ashtu Rugovës edhe besimin që i është dhënë lidhur me  procesin e Manifestës, pavarësisht, dorëheqjes në dhjetorin e kaluar.

“Sa për informatë, Komuna e Prishtinës është i vetmi institucion në Republikën e Kosovës që deri më tash ka garantuar buxhetin prej afro 1 milion euro në kornizën afatmesme buxhetore (2019-2021) që Manifesta të jetësohet në vitin 2022”, ka pohuar ai.

Në anën tjetër, ish drejtori  për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Yll Rugova ka pohuar për Kallxo.com, se procesi deri në përzgjedhje të Manifestës ka përfshirë shumë hapa të rëndësishëm, me të cilën komuna ka garantuar se plotësohen kushtet e kërkuara nga kjo bienale e artit.

“Një prej kushteve të tyre ka të bëjë me garancionin e vazhdimësisë së organizimit, pa marrë parasysh ndryshimet apo rrjedhën politike. Kjo nënkupton që përveç tjerash duhet një garancion bankar që siguron se deri në vitin 2022 institucionet e Kosovës do ta bëjnë investimin e premtuar gjatë aplikimit”, ka pohuar Rugova..

Ai ka thënë se gjithashtu institucionet duhet të garantojnë se Manifesta në Kosovë do të ketë liri të shprehjes dhe veprimit kreativ, pa ndërhyrje politike, apo të çfarëdo forme tjetër.

“Dhe e fundit, ka mbetur që Komuna e Prishtinës ta nënshkruaj protokollin e marrëveshjes në fillim të muajit maj, me të cilën pajtohet për të gjitha këto kushte. Përfshirë koordinimin me institucionet tjera në Kosovë”, ka thënë Rugova.