Ish-drejtori i Prokurimit të Gjilanit ndihet i pafajshëm

Në Gjykatën e Gjilanit ka vazhduar procesi gjyqësor ndaj Salih Kqikut, ish-drejtor i Prokurimit në Komunën e Gjilanit.

Ai akuzohet për dy vepra penale: keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe asgjësimi apo fshehja e materialit arkivor.

Seanca filloi me leximin e shkresave, ku trupi gjykues i përbërë nga Zyhdi Haziri kryetar, Menderes Behludi e Boban Aleksiq anëtarë, konstatuan leximin e shkresave që ishin në dosje të lëndës.

Pas leximit të shkresave pati edhe propozime nga avokati Shemsedin Piraj, mbrojtës i të pandehurit, Sali Kqiku.

Prej tri propozimeve të tij, Gjykata pas tërheqjes për këshillim  vendosi të konstatohen si të lexuara dy prej tyre.

Gjykimi vazhdoi më pastaj me marrjen  në pyetje të të akuzuarit Salih Kqiku.

“Nuk e pranoj fajësinë për këto vepra penale”, deklaroi qysh në fillim të seancës i pandehuri Sali Kqiku.

Gjatë  dëshmisë së tij, ai iu përgjigj pyetjeve të shumta  të parashtruara së pari prej mbrojtësit të tij, prokurorit të shtetit si dhe të anëtarëve të trupit gjykues.

Gjatë marrjes në pyetje, ai tregoi se si nuk kishte njohuri që ka pasur një OJQ në zyrën e arkivit. Ai madje deklaroi se asnjëherë nuk ka qenë në vizitë në këtë zyrë deri sa ka qenë OJQ duke punuar aty. Më tutje, sqaroi para Gjykatës se nuk ka pasur njohuri se vajza e tij, Antigona, të ketë punuar ndonjëherë aty, kurse për Naime Bllacajn që është vajza e dajës së tij, deklaroi se as nuk i ka interesuar se ku punon dhe me çka merrej ajo.

Mbi këtë deklaratë, ai u ballafaqua nga prokurori me pjesën e dëshmisë së tij të dhënë më herët në Polici, ku ai kishte cekur shprehimisht: “Po, është e vërtetë se në këtë shoqatë ka punuar një e afërme e imja- vajza e dajës por nuk më kujtohet se në cilën periudhë”.

Mbi këtë çështje i pandehuri Salih Kqiku deklaroi se nuk i kujtohet të ketë thënë kështu dhe se mbetet pranë deklaratës të dhënë sot e jo në Polici.

Gjatë dëshmisë së tij ndër të tjera ai foli edhe për detyrat e përgjegjësitë që ka pasur sipas ligjit si drejtor i Prokurimit në Komunën e Gjilanit, po ashtu u përgjigj edhe në pyetjet mbi procedurën e pranim dorëzimit të detyrës së drejtorit.

Lidhur me këtë, Salih Kqiku deklaroi se në kohën kur e ka marrë detyrën e drejtorit nga ish-ushtruesi Nazmi Halili, “nuk kam qenë i njoftuar për menaxhimin e as për asetet e as për dokumentacionin, e as nuk kam kërkuar nga i njëjti se ku ekzistojnë lëndët e arkivuara.

“Unë kam biseduar më pastaj me Nazmiun lidhur me këto asete dhe arkivën por i njëjti më ka thënë se nuk e kam ditur se duhet me të njoftu lidhur me këtë arkivë shtesë”, tha ai, duke shtuar se nuk ka pasur dijeni se kush e ka demoluar arkivin derisa ka shkuar atë ditë me komisionin.

Seanca u ndërpre pasi që trupi gjykues propozoi që për seancën e radhës të ftohet të dëshmojë Nazmi Halili, i cili si  ish-ushtrues i detyrës së drejtorit të Prokurimit Publik do të tregojë për pozitën e të gjitha lëndëve të cilat kanë qenë në arkiv, si dhe të kërkohet procesverbali i pranim dorëzimit të detyrës në mes të të akuzuarit Salih Kqikut dhe dëshmitarit Nazmi Halili.

Sipas pikës 1 të aktakuzës së Prokurorisë në Gjilan, e datës 26 janar 2018, Salih Kqiku akuzohet se gjatë vitit 2014 në cilësinë e personit zyrtar, si drejtor i Prokurimit në Komunën e Gjilanit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tija, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose personin tjetër, duke punësuar dy familjarë të vet, në atë mënyrë që ka vendosur një OJQ “Psikoterapeutët në Veprim” në zyrën e arkivit të Drejtorisë së Prokurimit e cila gjendet tek Qendra e Inkubatorit të Biznesit në Gjilan, në të cilën zyrë kanë qenë të vendosur dosje të tenderëve, e ndër të tjera edhe dosja e tenderit me dy raportet e vlerësimit të aseteve fikse dhe detyrimeve qarkulluese të KRM “Higjiena” në Gjilan, e të cilat zyrtarët policorë nuk kanë mundur t’i gjejnë, e ku rezultojnë të asgjësuara, e ku në të njëjtën OJQ, i pandehuri ka punësuar vajzën e tij Antigona Kqiku dhe mbesën Naime Bunjaku.

Sipas pikës 2 të aktakuzës, Salih Kqiku gjatë vitit 2014, në cilësinë e personit zyrtar, si drejtor i Prokurimit në komunën e Gjilanit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tija, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose personin tjetër, duke asgjësuar apo fshehur materialet arkivore, në atë mënyrë që, ka vendosur një OJQ “Psikoterapeutët në Veprim” në zyrën e arkivit të Drejtorisë së Prokurimit, e cila gjendet tek Qendra e Inkubatorit të Biznesit në Gjilan, në të cilën zyre kanë qenë të vendosuar dosje të tenderëve e e ndër të tjera edhe dosja e tenderit me dy raportet e vlerësimit të aseteve fikse dhe detyrimeve qarkulluese të KRM “Higjiena” në Gjilan, e të cilat zyrtarët policor nuk kanë mundur të i gjejnë, e ku rezultojnë të asgjësuara.

Seanca e radhës u vendos të mbahet më 16 nëntor.