Ish-drejtoresha e Teatrit Kombëtar, Elmaze Nura në gjykatë - Foto: KALLXO.com

Ish-Drejtoresha e Teatrit: S'Pati Shkelje në Udhëtimin në Slloveni

Ish-drejtoresha e Teatrit Kombëtar po akuzohet për udhëtimin e ekipit të Teatrit Kombëtar drejt kryeqytetit slloven, ku kanë dhënë shfaqjen “Lisistrata”.

Në seancën ku u mor në pyetje, e akuzuara Nura tha se mjetet për udhëtim janë dedikuar nga Ministria e Kulturës.

“Mjetet janë dedikuar nga Ministria e Kulturës pasi që ne kemi marrë ftesën si institucion. Ne e kemi prezantuar ftesën dhe financieri i Teatrit ka bërë kalkulimet e tërë shpenzimeve për pjesëmarrjen në festival. Kërkesa është aprovuar nga Ministria e Kulturës, me 2,500 euro më pak se ajo që ka kalkuluar ish-financieri, tash i ndjerë, Xhemajl Mehmeti”, tha ajo.

Ndërkaq kur u pyet se a ka qenë e njoftuar nga Ministria e Kulturës që realizimi i shfaqjes të shkojë përmes tenderit, Elmaze Nura tha se Ligji për Teatrin Kombëtar ia lejon drejtorit të Teatrit të nënshkruajë kontrata e marrëveshje me palën e tretë.

“Nuk është dashtë tender. Madje edhe në shkresën e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Kulturës shkruhet qartë se këto mjete barten në xhirollogari të Teatrit Kombëtar si subvencion. Mjete me të cilat Ligji për Teatri Kombëtar në kompetencat e drejtorit gjeneral të Teatrit Kombëtar ia lejon drejtorit të Teatrit që të nënshkruajë marrëveshje dhe kontrata me palën e tretë”, tha Elmaze Nura.

Në këtë seancë dëshmi dha edhe eksperti financiar Riza Blakaj.

Ai tha se shpenzimet të cilat financohen nga subvencionet nuk kërkojnë procedura të prokurimit.

I pyetur nga Tomë Gashi, avokati i të pandehurës Nura, se a ka pasur të dëmtuar në këtë proces, eksperti dha këtë përgjigje: “Sipas mendimit tim nuk ka të dëmtuar në këtë proces”.

Në seancën e radhës pritet të jepet fjala përfundimtare.

KALLXO.com raportoi edhe më herët nga ky proces gjyqësor. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.