Ish-Depoisti i UNHCR-së Ndihet i Pafajshëm

Prokuroria e akuzon Hulajn se përvetësoi mjete nga depoja e Komisariatit të Lartë për Refugjatë të OKB-së (UNHCR) ku punonte.

Këtë në gjykatë e tha prokurorja Fikrije Fejzullahu gjatë leximit të aktakuzës.

“Gjatë muajit tetor 2011 derisa ka qenë duke punuar si depoist në depot e UNHCR-së të cilat gjenden në fshatin Milloshevë të Komunës së Obiliqit, i pandehuri me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete bashkë me personat e paidentifikuar deri më tani ka përvetësuar 254 copë mbulesa të plastikës me mbishkrim UNHCR me ngjyrë të kaltër në vlerë të përgjithshme prej 5310 dollarë,” tha prokurorja.

Prokurorja Fejzullahu tregoi edhe si janë bartur mbulesat. [Mbulesat] i janë besuar atij në bazë të detyrës si depoist në atë mënyrë që edhe pse sipas detyrës zyrtare ka qenë i obliguar të kujdeset për mallrat që gjenden në depo, mbulesat e lartpërmendura janë bartur me kamion,” tha prokurorja.

I akuzuari Hulaj tha se vetëm tash e di pse po akuzohet.

“Tash është hera e parë që po e di për çka është fjala,” tha Hulaj.

Pastaj i akuzuari u deklarua i pafajshëm.

“ Po, po, e di për çka është fjala, por jo absolut nuk ndihem fajtor,” tha Hulaj.

Pasi që i akuzuari nuk kishte mbrojtës, gjyqtari Faik Hoxha e udhëzoi që në afat prej 30 ditësh mund ta kundërshtojë aktakuzën dhe e njoftoi se në afatin prej 40 ditësh do të caktohet shqyrtimi i dytë.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 13 qershor.