Foto-ilustrim

Ish-Bashkëshorti i Paditur Dëshmon në Gjykimin për Banesën

L. Rr, i cili është paditur nga ish-bashkëshortja e tij, Arjeta Gashi, dha dëshminë e tij në gjykimin për banesën, pronësinë mbi gjysmën e të cilës e kërkon Gashi.

L.Rr është përgjigjur në shumë pyetje të gjyqtarit, Faton Bajrami, lidhur me ish-bashkëshorten, Arjeta Gashi dhe kontributin e saj në krijimin e banesës e cila pretendohet nga paditësja.

L. Rr  tha se me ish-gruan e tij kishte hyrë në bashkësi martesore në vitin 2003, ku fillimisht kishin jetuar në shtëpinë e prindërve për t’u zhvendosur më pas në banesën e cila është kontestuese.

Ai theksoi se ish-gruaja e tij ishte punësuar në KOSTT një vit pas martesës ndërsa vetëm në gjykimin që po zhvillohet e kishte kuptuar se sa ishte paga e saj.

L.Rr duke u përgjigjur në pyetjet e gjykatësit mohoi që ish-gruaja e tij të kishte kontribuuar ndonjë gjë për blerjen e banesës kontestuese.

“Fillimisht ne kemi pasur një pronë në lagjen “Veterniku”, të blerë në vitin 2008 nga babai im tani i ndjerë. Unë kam administruar me pasurinë e babait edhe sa ishte ai gjallë, pasi që i njëjti më ka autorizuar që ta shes pronën në “Veternik” dhe të hyj në raport kontraktual për blerjen e banesës. Mjetet për blerjen e banesës i kemi bërë varësisht nga këstet e pranuara nga blerësi i paluajtshmërisë së shitur në “Veternik”. As unë e lëre më Arjeta nuk kemi kontribuar në shtimin e pasurisë familjare përkatësisht blerjen e banesës”, tha L.Rr

Po ashtu, L. Rr tha se ndonëse ai kishte hyrë fillimisht në raport kontraktual për blerjen e banesës, vetëm në vitin 2013 është bërë kontrata për blerjen e banesës, e cila është lidhur në emër të nënës së tij.

Pyetje lidhur me kontratën për banesën pati edhe avokati i paditëses, Musli Abazi.

Abazi e pyeti Rr se kush e kishte bërë kontratën për blerjen e banesës, ndërsa përsëri mori përgjigjen e njëjtë.

“Me autorizimin e babait kam qenë në negociata përkatësisht në pazar në emër të tij mirëpo me të njëjtin nuk kam hyrë në raport kontraktual valid apo të noterizuar por në këtë raport ka hyrë nënë ima në emër të së cilës është bartur banesa dhe për këtë kanë dhënë pëlqimin edhe tri motrat dhe vëllai im”, tha L.Rr.

Në seancë nuk prezantoi pala paditëse, Arjeta Gashi, por vetëm avokati i saj.

Seanca e radhës do të mbahet më 16 mars.

Ky proces gjyqësor ka filluar në vitin 2016, ndërsa paditësja pretendon se ka kontribuuar në krijimin dhe shtimin e pasurisë përmes punës së saj në KOSTT përgjatë 10 viteve. Paditësja pretendon se i takon gjysma e një banese e cila ndodhet në Prishtinë si dhe pasuria tjetër e luajtshme të përshkruar në padi.

Paditësja pretendon se kontributi i saj është dhënë përmes përgatitjes së ushqimit për fëmijë dhe për familje, higjienë dhe punë tjera të mirëmbajtjes së familjes së përbashkët.

Në anën tjetër pretendimet e paditëses kundërshtohen nga ish-bashkëshortë, tani i padituri i cili pretendon se fare nuk është pronar i banesës së pretenduar nga ish-gruaja e tij porse kjo pasuri i takon familjes së tij, nënës, motrave dhe vëllait të tij.

Një hulumtim i BIRN-it tregonte se pak gra kërkojnë trashëgiminë pronësore përmes gjyqit.

http://kallxo.com/pak-gra-kerkojne-trashegimine-pronesore-me-gjyq/

Të gjitha raportet e KALLXO.com rreth kësaj teme mund t’i gjeni në këtët link.