Ish avokati Sinan Visoka, në gjykatë. Foto: Kallxo.com

Ish avokati i akuzuar për ujdi të paautorizuar del para gjyqit

Sinan Visoka, i akuzuar për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës sa ishte në cilësinë e avokatit, është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave të prokurorisë.

Në seancën e sotme fillestare, i pyetur rreth deklarimit të fajësisë, Visoka, u deklarua i pafajshëm, duke shtuar edhe disa fjalë.

“Në kompani të sigurimeve mungon kërkesa për kompensim dëmi, unë çuditem në momentin që e kam pranuar një gjë të tillë”, shtoi Visoka.

Seanca e radhës ku do të mbahet shqyrtimi i dytë në të cilin do të parashtrohet kërkesa për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, u caktua për muajin qershor.

Ky gjykim do të udhëhiqet nga gjykatësi Shashivar Hoti. Më herët kjo lëndë i ishte ndarë gjykatësit Hamdi Ibrahimi, por që i njëjti kishte parashtruar kërkesë për përjashtim nga vendosja për këtë çështje penale, me arsyetimin se me të dëmtuarin Shaip Koliqi ka punuar deri në vitet e njëjta në të njëjtën ndërmarrje.

“Kjo rrethanë mund ta vë në dyshim paanshmërinë e gjyqtarit që vendosë në një çështje penale ku i dëmtuar është personi me të cilin ka punuar për një kohë të gjatë dhe me të cilin ka pas raporte shumë të mira ndër njerëzore dhe të respektimit të ndërsjellët”, thuhet më tej në këtë kërkesë të gjykatësit Ibrahimi.

Kjo kërkesë më pas ishte aprovuar nga gjykata.

Aktakuza ngarkon Visokën se në cilësinë e avokatit pranë OAK- së, me qëllim të përfitimit pasuror të kundërligjshëm për vete apo personin tjetër, kishte bërë padi në gjykatë pa autorizimin e të dëmtuarve nga aksident trafiku në fshatin Penuhë të komunës së Podujevës.

Në këtë aksident kishte mbetur i vdekur një person ndërsa 11 të tjerë ishin lënduar.

Aktakuza thotë se pas padisë, ish avokati tashmë i akuzuar kishte lidhur ujdinë jashtëgjyqësore në emër të zhdëmtimit të shumës prej 980 euro, për të dëmtuarin Shaip Koliqi, si dhe ujdinë jashtëgjyqësore me Njësinë e Sigurimeve të Detyruara me seli në Prishtinë, për kompenzimin e dëmit të familjes Koliqi në shumë prej 19.500 euro në emër të zhdëmtimit për familjen e të dëmtuarve.

Aktakuza thotë se shumën prej 19.500 euro e ka pranuar i akuzuari nga Njësia e Sigurimeve të Detyruara duke i bartur në xhirollogarinë e të dëmtuarit Shaip Koliqi, kurse 7.5% të shumës totale pa pasur paaprakisht autorizim me shkrim e as marrëveshje me të dëmtuarit e lartëcekur.

Prokuroria pretendon se Visoka shumën e parave prej 678 euro i ka ndalur për vete.