Profesori Xhavit Rexhaj Foto: Facebook

Ish-anëtari i KShC-së: MAShT dhe Qeveria po e rrezikojnë integrimin europian të arsimit të lartë  

Ish-anëtari i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Xhavit Rexhaj ka reaguar pas vendimit të djeshëm të bordit të KShC-së për tërheqjen e akreditimit për një vit të tri universiteteve publike..

Ai ka thënë se çdo ndërhyrje e Ministrisë së Arsimit apo e Qeverisë në punën e Agjencisë së Akreditimit, mund të rrënojë procesin e integrimit në hapësirën evropiane të arsimit të lartë dhe mund të shkatërrojë sistemin e arsimit të lartë në Kosovë.

“Procesi i akreditimit dhe sistemi i arsimit të lartë ende vuajnë pasojat e ndërhyrjes së fundit. Atëherë mund të arsyetoheshin sepse jam i bindur se nuk kanë qenë të vetëdijshëm se çka po bëjnë. Thjeshtë nuk kanë ditë. Sot një gjë e tillë nuk mund të arsyetohet me asnjë floskulë populiste për gjoja mbrojtjen e universiteteve ose të interesit të studentëve”, ka thënë Rexhaj.

Tutje ai ka sqaruar se vlerësimi i punës së Agjencisë së Akreditimit dhe Këshillit Shtetëror të Cilësisë nga ana e qeverisë, ministrisë, universiteteve apo kolegjeve është ndërhyrje e plotë në pavarësinë e procesit të akreditimit.

Rexhaj thotë se sistemi i akreditimit është i ndërtuar mbi parimet dhe standardet e sistemit evropian për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë – ESG.

“Prej raportit të vetëvlerësimit (RVV), vizitës së vlerësuesve të jashtëm, raportit të detajuar të ekspertëve të jashtëm, e deri te vlerësimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë – KSHC janë pjesë të një tërësie të pandashme, koherente dhe të ndërvarur që e kontrollojnë, plotësojnë dhe korrigjojnë njëra tjetrën. Për shkak të standardeve e kritereve e procedurave shumë të qarta, askush nga këta nuk mund të shmanget nga vlerësimi i drejtë i gjendjes”, ka shkruar profesori universitar.

Ish-anëtari i KShC-së ka sqaruar procesin e vlerësimit si më poshtë:

“Për ilustrim:
1. Në vetëvlerësim pyetjet edhe struktura e raportit është e tillë që nëse gënjen institucioni, bie vet në grackën e vet në kohën e vizitës së ekspertëve të jashtëm. Pra nëse thua kam bibliotekë me x libra, atëherë vizita e vërteton ose e demanton këtë. Ti thua në RVV që e ke shkencën prioritet; eksperti e sheh lehtë në raport financiar nëse ke investu në shkencë rreth 8 % të qarkullimit.

2. Eksperti i jashtëm e krahason RVV-në me gjendjen faktike e dokumentet e studiuara. Nuk mund të personalizojë atë që kërkohet e jepet objektivisht – edhe po të dojë. Raporti i ekspertit të jashtëm është faktik e përshkrues – me një konstatim e rekomandim në fund. Nuk mundet eksperti të përshkruaj një gjë e të konstatoj diçka tjetër.

3. Institucioni ka të drejtë dhe obligim që të korrigjojë gjetjet e gabuara të ekspertit. Prandaj, raporti nënkupton edhe dakordimin e institucionit me gjetjet – jo gjithsesi edhe me rekomandimet!

4. Edhe KSHC – mund të diskutojë raportin ose të konstatojë parregullsitë, paqartësitë ose mungesën e koherencës në raport – pasi që KSHC nuk është pjesë e vlerësimit. Pra, KSHC nuk mund të bëjë vlerësim. KSHC e vlerëson raportin – jo gjendjen. Gjendjen e vlerëson ekspertiza e jashtme. KSHC, edhe po të dojë, vështirë e ka të bëjë vlerësim në kundërshtim me raportin. Plus që janë 9 veta – prej tyre tre ndërkombëtarë me status special në vlerësim. E kështu me radhë.

Pra kemi të bëjmë me një proces shumë objektiv e të depersonalizuar që nuk lejon shumë shkarje e keqpërdorime sepse vërehen lehtë për secilën fazë.

Prandaj, qeveria e Kosovës dhe MASHT: VET I KANE MIRATUAR RREGULLORET. NUK MUNDEN TASH TË FAJESOJNË KSHC-në PËR REZULTATET E VLERËSIMIT.
MË MIRË ËSHTË TË PUNOJNË BASHKË ME UNIVERSITETET QË T’I NDIHMOJNË ATO PËR PLOTËSIMIN E KËRKESAVE QË I KANË VENDOSUR VET!!!

Qeveria nuk mund ta vlerësojë AKA-në sepse AKA i vlerëson jo vetëm institucionet por edhe sistemin e arsimit të lartë që ka krijuar qeveria. Domethënë AKA gjatë vlerësimit të institucioneve e vlerëson edhe punën e MASHT e të Qeverisë.

Prandaj – këtu kanë ngelë jo vetëm disa institucione por edhe qeveria. E, ngelësi nuk bën ta vlerësojë vlerësuesin. Qeveria duhet të zgjohet nga gjumi e të punojë dhe të vazhdojë ta lërë Agjencinë ta bëjë punën e vet – në të mirë të të rinjve. Qeveria duhet të ndihmojë agjencinë me krijimin e kushteve të punës e me punësimin e personelit e jo të vlerësojë punën e agjencisë. Njëkohësisht, duhen ndërtuar mekanizmat që sigurojnë ligjshmërinë, llogaridhënien dhe transparencën e plotë të punës së agjencisë.”, ka shkruar Rexhaj.

KALLXO.com dje (15 korrik) ka monitoruar mbledhjen e 74-të të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, të cilët votuan rekomandimet e raporteve të ekspertëve ndërkombëtarë të ENQA-s, sipas të cilave Universiteti i Pejës, Mitrovicës dhe Prizrenit, si dhe Kolegji Fama, Kolegji Iliria, Kolegji Tempulli dhe Kosovo Art Academy, nuk do të mund të regjistrojnë studentë të ri për këtë vit akademik.

https://kallxo.com/universitetet-e-pejes-prizrenit-dhe-mitrovices-nuk-mund-te-regjistrojne-studente-te-rinj/

https://kallxo.com/pervec-tri-universiteteve-publike-kshc-ua-terheq-akreditimet-edhe-4-kolegjeve-private/