Ish-anëtarët e Bordit të KEDS-it: Nuk dinim gjë për privatizimet e hidrocentraleve

Emisioni i fundit “Drejtësia në Kosovë” transmetoi hulumtimin i cili tregon se si Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës  ka nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj disa zyrtarëve qeveritarë të Kosovës.

Faik Halili, një prokuror special zyrtarisht ka nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve, ndërsa  nën hetime janë të gjithë përgjegjësit e kontratës së nënshkruar- pesë ministra të kohës, tre prej të cilëve sot janë në Qeverinë Haradinaj.

Për të sqaruar se kush ishin përgjegjësit, pas presioneve të vazhdueshme të shoqërisë civile, Prokuroria Speciale të enjtjen ka nisur zyrtarisht hetimet për skandalin e faljes së hidrocentraleve.

Ndër përgjegjësit e tjerë që do duhej të kishin informacione për tërë faljen që po ndodhte në sy të ministrave të cilët nuk kishin parë asgjë, ishin edhe anëtarët e Bordit të KEDS-it të caktuar nga Qeveria e Kosovës.

Disa nga anëtarët e bordit të asaj kohe të kontaktuar nga “Drejtësia në Kosovë” dhe të pyetur se a është diskutuar shitja e hidrocentraleve, po pretendojnë se nuk është diskutuar kurrë që asetet e tilla do privatizohen.

“Pyetni ata anëtarët tjerë të bordit, sepse unë nuk jam në dijeni të kësaj çështje”,  tha Ahmet  Alidemaj.

Në akterët e tjerë në bordin e KEDS edhe Burim Basha, një tjetër anëtar i bordit të asaj kohe thotë se nuk ka ditur gjë për faljen që po ndodhte në procesin negociator ku edhe bordi kishte gisht.

“Ne kemi qenë anëtarë bordi që kemi pasë me përcjellë ato çka janë shitur tek investitori. Sa u përket hidrocentraleve as nuk e kemi ditur, e as që e kemi diskutuar, jemi marrë me shumë më çështjen e punëtorëve ”, tha Burim Basha.

“Drejtësia në Kosovë” kishte tentuar të kontaktojë edhe me anëtarët e tjerë të ish- Bordit të KEDS-it, por kontakti me ta ka qenë i pamundur.

Kryetari i sindikatës së KEDS-it, Fehmi Pajaziti që ishte pjesë e procesit, thotë se nuk i kujtohen diskutimet për privatizim

“ Ndërkohë në shthurje ose në privatizim është formuar edhe një bord që është quajtur bord mbikëqyrës i bartjes së kompetencave prej ndërmarrjes publike në kompaninë private që kryetar ka qenë Gani Jashari dhe unë edhe pse kam qenë prezent, asnjëherë të vetme nuk është përmendur se do privatizohen asete të tjera”, theksoi Pajaziti.