Isa Mustafa - Foto: Facebook

Isa Mustafa: Në 2018, Kosova ka humbur 17 mijë vende pune

Ish kryeministri Isa Mustafa pretendon se Kosova në vitin 2018 i ka humbur 17 mijë vende të punës, ndonëse Kosova po vazhdon të ketë rritje ekonomike.

“Është lajm i mirë se Kosova po vazhdon të kryesojë me rritjen ekonomike krahasuar me vendet në regjion. Por është lajm i keq se në vitin 2018 kemi humbur 17 mijë vende të punës dhe se kjo rritje ekonomike, e bazuar në investime publike, nuk po gjeneron vende të reja të punës. Përkundrazi!”, ka shkruar në profilin e tij në Facebook, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

Sipas tij, në dy vitet e fundit në Kosovës është rritur shkalla e papunësisë dhe janë zvogëluar investimet e huaja.

Ish kryeministri Mustafa tutje akuzon koalicionin qeverisës se nuk po di dhe nuk po dëshiron të zgjidhë çështjen e papunësisë.

“Derisa institucionet e Kosovës janë të preokupuara me politika populliste, në stilin “kush është më i forti” dhe “kush kujtë”; kush po ndërton më shumë autostrada afër katundit dhe regjionit të vet e kush po shet më shumë tenderë, nuk ka qasje serioze dhe interesim për problemin jetik të të rinjëve. Papunësinë dhe punësimin e tyre.”, ka shkruar tutje Mustafa në Facebook.