Isa Mustafa, Kryetar i LDK

Isa Mustafa i Kthehet Çështjes së Q7 dhe 'Propagandës së Vetëvendosjes'

Ish-Kryeministri i Kosovës dhe Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa vlerësoi se propaganda e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë ia siguroi atyre fitoren katër vite më parë kur Shpend Ahmeti përmbysi rezultatin kundër tij në balotazh.

Mustafa që kishte mbajtur edhe postin e Kryetarit të Prishtinës, përmendi disa prej çështjeve që VV-ja i kishte përdorur kundër tij duke e krahasuar me propagandën madje edhe të nazistëve në Gjermani.

“Shfrytëzimi i një makine Audi Q 7 nga Vetëvendosje për të bërë propagandë katër vjet rresht, dhe mbajtja e asaj makine në ballinat e mediave kosovare, “u shit, s’u shit; ankandi i parë, i dytë, i trete …, u shit më lirë sesa që është blerë…” , është fenomen i ri në propagandën postbolshevike”, shkroi Mustafa në Facebook.

Ai gjithashtu përmendi disa prej veprimeve të Kryetarit aktual Shpend Ahmeti që ai i konsideron skandale por që sipas tij me to nuk do të merret kandidati i LDK-së për Prishtinën, Arban Abrashi.

“Nuk besoj se Kryetari i ri i Prishtinës, Arban Abrashi do të merret me sajime të dosjeve dhe me propagandë. Me udhëtimet me jahte të Shpend Ahmetit, fluturimet e tij me aeroplan privat, të bizneseve që operojnë edhe në Prishtinë, për të përcjellë ndeshjet jashtë vendit; me dhënien në shfrytëzim të pronave të komunës në procedurë jo konkurruese (për çfarë një kryetar tjetër i një komune po sillet vërdallë qe 8 vite nëpër gjyqe)”, deklaroi Mustafa.

Sipas tij, LDK nuk do të ndjekë shembullin  e Ahmetit për të bërë qeverisje duke propaganduar për të këqijat e qeverisjes së kaluar.

Ai po ashtu bëri thirrje që me aferat korruptive të merren organet gjegjëse, si policia e prokuroria.

Arban Abrashi në zgjedhjet lokale të 22 tetorit arriti të kalojë në balotazh me Ahmetin me më pak vota se ai, dhe pret votimin e prishtinasve më 19 nëntor në raundin e dytë.

Njëjtë, në zgjedhjet e kaluara në balotazh kishte shkuar vetë Isa Mustafa, i cili u mposht nga Ahmeti në raundin e dytë.

KALLXO.com ka krahasuar votat e marra nga dy kandidatët e LDK-së ,tre vite ndërmjet.

http://kallxo.com/renia-e-ldk-se-ne-prishtine-isa-mustafa-2013-vs-arban-abrashi-2017/