Takimi i Mustafës me zyrtarë të AKP-së | Foto: KALLXO.com

Isa Mustafa flet për dorëheqjen e Gashit dhe shkarkimin e Hajdarit nga AKP

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka reaguar në lidhje me dorëheqjen e Petrit Gashit nga posti i kryetarit të Bordit të Drejtorëve dhe shkarkimin e Ekrem Hajdarit nga pozita e drejtorit menaxhues në Agjencisë Kosovar të Privatizimit (AKP).

Mustafa ka thënë se ata që nuk vodhën dhe nuk manipuluan në AKP janë detyruar të largohen.

“Janë mbushur mbi tre vite që Kosova është kursyer nga aferat dhe skandalet në AKP, nga vjedhjet dhe manipulimet. Prandaj ata që nuk vodhën dhe nuk manipuluan as për vete as për të tjerët u detyruan të largohen. Profesor Petrit Gashi, një prej ekonomistëve më të thellë dhe më të spikatur jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë, i doktoruar në Britani të Madhe, i specializuar në shumë programe në SHBA, largohet, sepse nuk bashkëpunon me krimin”, ka shkruar Mustafa në Facebook. 

Këto veprime Mustafa i ka konsideruar si një argument që ky pushtet duhet të shkojë sa më parë.

“Është e dhimbshme dhe zhgënjyese që pas një pune sistematike, të suksesshme dhe vënie të rregullit në AKP, drejtuesit e këtij agjensioni të detyrohen të shkarkohen dhe të japin dorëheqje, për të hapur rrugë që dikush të pasurohet nga pronat që i takojnë Kosovës”, ka thënë Mustafa.  

Kallxo.com ka raportuar për shkarkimin e Ekrem Hajdarit, drejtorit menaxhues të deritanishëm të AKP-së pasi Bordi me shumicë të votave ka votuar mocionin për shkarkimin e tij në mbledhjen e 26 tetorit.

https://kallxo.com/shkarkohet-ekrem-hajdari-nga-pozita-e-drejtorit-menaxhues-te-akp-se/

Edhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka reaguar në lidhje me shkarkimin dhe dorëheqjen e Hajdarit dhe Gashit nga AKP-ja.

https://kallxo.com/kadri-veseli-flet-per-doreheqjen-e-gashit-dhe-shkarkimin-e-hajdarit-nga-akp/