Isa Mustafa e Vlerësoi me Arritje të Larta 2015-ën

Kryeministri Isa Mustafa e vlerësoi 2015-ën si një vit të vendimeve dhe ndryshimeve të mëdha në Kosovë.

Kryeministri mori pjesë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Zhvilim Ekonomik, ndërsa 2015-ën e cilësoi vit të përqendrimit në objektiva zhvillimore, të përmirësimit të ambientit të biznesit, të krijimit të urave të komunikimit me bizneset si dhe vit i nënshkrimit të marrëveshjes se Stabilizim-Asociimimit me Bashkimin Evropian.

“Ne vlerësojmë që këtë vit do të arrijmë të realizojmë një rritje premtuese ekonomike, e cila pastaj mundëson që në vitet e ardhshme kjo rritje të jetë edhe më e lartë dhe që do të mundësojë një zhvillim të disperzuar ekonomik dhe gjenerim të punësimit,” tha Mustafa.

Mustafa hap shumë të rëndësishëm e vlerësoi edhe mbylljen e marrëveshjes për Termocentralin “Kosova e Re”, investim ky mbi 1 miliard euro.

Ndërtimin e termocentralit me vetëm një ofertues e ka kundërshtuar Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm KOSID.

Mustafa tha se qeveria është e angazhuar maksimalisht për krijimin e kushteve substanciale për zhvillimin e infrastrukturës, si rrugore, hekurudhore dhe bujqësore.

Një marrëveshje për kredi në vlerën e 42 milionë eurove që do të përdoren për rehabilitim hekurudhe u nënshkrua me Bankën Evropiane për Investime para 3 ditësh.

Mustafa tha se Kosova do të përfitojë edhe nga fondet e Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA).

“Do të kemi asistencën financiare të IPA-s  gjatë këtyre viteve deri në vitin 2020  në një shumë prej 640 milionë eurosh dhe me këto mjete do të financohen  me prioritet zhvillimi demokratik dhe qeverisja e mirë, sundimi i ligjit,” tha Mustafa.

Ai deklaroi se në krahasim me vitin e kaluar, investimet janë rritur, si dhe janë ulur normat e interesit.

Mustafa në fund tha se qeveria po bën përpjeke për përmirësimin e gjendjes ekonomike si dhe në fushën sociale.

Partia më e madhe opozitare Lëvizja “Vetëvendosje”, duke analizuar dje një vit të qeverisjes së vendit nga Isa Mustafa, tha se gjatë këtij viti është rritur numri i të papunëve, i atyre që po dalin jashtë vendit dhe i aktivistëve të arrestuar të këtij subjekti.