Isa Mustafa dhe Vjosa Osmani në mbledhje me të rinjtë e LDK-së

Menjëherë pas takimit me Albin Kurtin, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka takuar kandidaten për kryeministre Vjosa Osmani, bashkë me të cilën janë duke mbajtur mbledhje me forumin rinor të kësaj partie, merr vesh KALLXO.com

Ky takim ka filluar rreth orës 11:00 dhe është duke vazhduar edhe tani.

Në këtë takim, përvec Mustafës dhe Osmani po merr pjesë edhe ish deputeti i kësaj partie, Lumir Abdixhiku.

Takimi i sotëm i Mustafës dhe Kurtit është mbajtur larg syrit të mediave, duke mos njoftuar fare për takimin dhe duke mos u deklaruar pas tij.

Kjo nuk është hera e parë që Mustafa dhe Kurti takohen fshehtas mes vete.

LDK dhe VV kanë diskutuar tash e një kohë për arritjen e një marrëveshje politike për një koalicion parazgjedhor, mirëpo nuk janë dakorduar për pozitën e kandidatit për kryeministër.

LDK e ka nominuar zyrtarisht Vjosa Osmanin si kandidate, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje pritet që ta nominojë Albin Kurtin.

Afati i fundit për dorëzimin e aplikacioneve për koalicione parazgjedhore është të premten, më 30 shtator ora 00:00. Deri më tani janë arritur dy koalicione parazgjedhore. AAK dhe PSD do të hyjnë në një listë të përbashkët, si dhe NISMA e AKR në një listë tjetër të përbashkët.

Isa Mustafa dhe Vjosa Osmani në takim me forumin rinor të LDK-së
Isa Mustafa dhe Vjosa Osmani në takim me forumin rinor të LDK-së