Policia irakiane duke festuar fitoren ndaj ISIS-it - Foto: REL/Reuters
Iraku Feston Fitoren Ndaj ISIS-it
Forcat e armatosura të Irakut kanë mbajtur një paradë ushtarake në kryeqytetin e vendit, Bagdad, për të shënuar fitoren e njoftuar nga kryeministri irakian, Haidai al-Abadi ndaj grupit ekstremist, Shteti Islamik (ISIS), pas një fushate trivjeçare.
Abadi dhe komandantët e lartë të forcave të sigurisë kanë qenë pjesë e paradës në qendër të Bagdadit, derisa fluturonin helikopterë dhe aeroplanë ushtarakë.
Kryeministri irakian ka njoftuar më 9 dhjetor se Iraku është “plotësisht i çliruar” nga grupi militant, Shteti Islamik dhe trupat irakiane janë duke kontrolluar gjithë kufirin Irak-Siri.
Qeveria irakiane e mbështetur nga koalicioni ndërkombëtar i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara patën nisur një fushtatë kundër ISIS-it, pasi ekstremistët kishin zotëruar një të tretën e shtetit gjatë vitit 2014.
Departamenti amerikan i Shtetit më 9 dhjetor e ka mirëpritur fundin e një “zotërimi të vrazhdë” të Irakut nga ISIS-i, derisa ka paralajmëruar se grupi vazhdon të përbëjë kërcënim.
Më 7 dhjetor, ushtria ruse ka deklaruar se e ka përfunduar misionin e saj në luftimin e ISIS-it.
Moska ka qenë në përkrahje të forcave qeveritare të Sirisë. (REL)