Pamje nga aktiviteti simbolik i Iniciativës Qytetare për Veprim - Foto: KALLXO.com
IQV: Gjeli, Pula e Bibani – ‘Negociatorë’ të Kosovës
Iniciativa Qytetare për Veprim (IQV) organizoi sot një aksion simbolik kundër murit të ndërtuar në Mitrovicën Veriore dhe kundër ekipit negociator të Kosovës, të përbërë nga Isa Mustafa, Edita Tahiri dhe Agim Bahtiri.
Në aksionin e realizuar para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës u improvizua një mur, duke aluduar në murin e Mitrovicës të ndërtuar para pak javësh dhe para tij vendosën një gjel, një pulë dhe një biban.
Bujar Voca nga IQV shpjegoi se aksioni i sotëm paraqet simbolikisht negociatorët e Kosovës se si duken në negociata me Serbinë dhe BE-në.
“Edita Tahiri duket si një pulë të cilës ia kanë hequr pendlat Serbia dhe Bashkimi Evropian. Isa Mustafa duket sikur një gjel frikacak, ndërsa Agim Bahtiri duket sikur një quran, i cili fryhet dhe nuk bën asnjë gjë”, tha ai.
Bujar Voca tha se Iniciativa Qytetare për Veprim kërkon përgjegjësi dhe dorëheqje nga kryeministri i Kosovës, të cilin e akuzuan për murin e ndërtuar në Mitrovicë.
“Me politikanë të korruptuar si Isa Mustafa projekti i ndarjes sot është bërë realitet. Ne sot po kërkojmë përgjegjësi dhe dorëheqje nga Qeveria e udhëhequr nga Isa Mustafa. Kjo do të nënkuptonte që vendit do t’i hapej rruga për t’u krijuar një qeveri e re, një qeveri e cila kish me e luftu korrupsionin, e cila kish me pasë një pozicion të ri në negociatat me Serbinë në Bruksel, e cila nuk do të lëshonte pe as karshi Serbisë dhe nuk do të kushtëzohej e shantazhohej as nga BE-ja”, u shpreh Voca.
Ai gjithashtu tha se ky ekip negociator dhe kjo qeveri po e dëmtojnë sovranitetin e Kosovës dhe se duhet të japin dorëheqje, që vendi të krijojë një qeveri tjetër e cila mbron interesat e Kosovës, e shtrin sovranitetin në veri të Kosovës, i kthen shqiptarët në veri, i integron serbët, krijon shtet ligjor dhe e lufton korrupsionin.
Në një parullë tjetër shihej Bashkimi Evropian duke e shërbyer kryeministrin serb Aleksandër Vuçiq me karrotë, ndërsa kryeministrit kosovar Isa Mustafa, duke i qëndruar me shkop në kokë.
Iniciativa Qytetare për Veprim tha se këtu është paraqitur sjellja e BE-së ndaj Serbisë, të cilën e ka shpërblyer me liberalizim të vizave, i ka hapur rrugën drejt BE-së, dhe e ka lejuar të kontrollojë veriun e Kosovës, ndërsa Kosovës po ia imponon proceset e dëmshme të cilat po e shkatërrojnë republikën, si demarkacioni, Asociacioni i Komunave Serbe, ndarja e Kosovës etj.
Iniciativa Qytetare për Veprim paralajmëroi për aksione të tilla të ngjashme edhe në ditët në vijim.
Redaktoi: Naser Sertolli